Raporton Reuters/ Shenjë e mirë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit
Një ekip shkencëtarësh kinezë ka izoluar një grup anti-trupash që thotë se janë “tepër të efektshëm” për të bllokuar aftësinë e koronavirusit për të penetruar qelizat e njeriut, raporton Reuters.
Kjo mund të jetë një shenjë e mirë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Zhang Linqi dhe ekipi i tij në Pekin thonë se një ilaç që përmban anti-trupat në fjalë mund të jetë më i efektshëm se sa trajtimet e tjera, si për shembull përdorimi i plazmës me anti-trupat e personave që janë shëruar, pasi përdorimi i plazmës është i kufizuar në bazë të grupit të gjakut, raporton Reuters.
“Rëndësia e anti-trupave është provuar në mjekësi prej dekadash. Ato përdoren për të kuruar kancerin, apo çrregullime auto-imune si dhe sëmundje ngjitëse. Prandaj kemi shpresa se anti-trupat që kemi zbuluar mund të jenë shumë të efektshëm për pacientët me koronavirus si për mjekimin ashtu edhe për parandalimin e infeksionit,” thotë Dr. Zhang Linqi.
Ekipi shkencor filloi të analizonte anti-trupat që në janar, duke mbledhur mostra gjaku nga pacientë me COVID-19.
Ky ekip po punon për t’i kombinuar anti-trupat e zbuluar me anti-trupa të tjerë për të ulur rrezikun e mungesës së efikasitetit nëse koronavirusi shfaq mutacione.
Nëse gjithçka shkon mirë, zhvilluesit e interesuar mund t’i prodhojnë në masë ato për provë, së pari tek kafshët dhe përfundimisht te njerëzit./Sot.com.Al