Presidenti Ilir Meta dekoron me titullin e larte Mjeshter i Madh kengetarin e mirenjohur tepelenas Ylli Baka

Presidenti Ilir Meta dekoroi sot me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, këngëtarin e mirënjohur të muzikës popullore shqiptare, Ylli Baka, me motivacionin:

“Me mirënjohje për përpjekjet e suksesshme dhe arritjet e shquara në prezantimin dhe ngritjen në një nivel të ri të këngës popullore e në veçanti të Jugut të Shqipërisë, si dhe për përfaqësimin dinjitoz të saj brenda dhe jashtë vendit.Për kontributin e shquar në fushën e kulturës, në interpretimin e rrallë të këngës popullore, por edhe në mbrojtjen e promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare si pjesë e fondit të artë të Folklorit Kombëtar”.

Në fjalën përshëndetëse drejtuar familjarëve dhe personaliteteve të artit, të pranishëm në ceremoninë solemne të dekorimit, Presidenti Meta theksoi:

“Ylli Baka vjen në këngën shqiptare si një këngëtar me identitet të spikatur, duke krijuar një profil të veçantë dhe të papërsëritshëm”, u shpreh Meta.

I lindur dhe i rritur në Tepelenë, por edhe me një lidhje të veçantë me Skraparin, nga vjen nëna e tij, Ylli Baka ka luajtur rolin e një ure lidhëse, midis këngës polifonike të Jugut dhe asaj Toske të Skraparit.

Në rrugëtimin e tij këngëtari Ylli Baka ka kënduar me qindra këngë dhe ka prodhuar disa dhjetëra videoklipe, që mbajnë individualitetin dhe firmën e tij/ ATSH/.