Pa pengesa në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çertifikatat fitosanitare të produkteve bujqësore

Sot e në vijim nuk do të ketë më pengesa në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përsa i përket çertifikatave fitosanitare të produkteve bujqësore.

Keshtu eshte shprehur Ministri i Bujqesise Bledi Çuçi qe, se bashku me homologun Arjanit Hoxha nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit Fitosanitar, e cila njeh rezultatet e testeve dhe vlerësimit të laboratorëve, jo vetëm të akredituar, por edhe të autorizuar, duke bërë të mundur kalimin e ngarkesave në Pikat e Inspektimit Kufitar, pa vonesa dhe pa marrje mostrash shtesë.

Këto lehtësi reduktojnë dokumentacionin dhe kohën e pritjes në kufi të kamionëve.Do të thotë më pak kosto për biznesin, më shumë rritje të volumit të shkëmbimeve tregtare.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është finalizimi i një pune një vjeçare që kanë bërë të dy palët dhe është gjithashtu një hap përpara drejt iniciativës strategjike të Shengenit Ballkanik për zhvillimin e rajonit tonë.

Ndërkohë eshte gati dhe Marrëveshja për Menaxhimin e Përbashkët të Qëndrueshëm të Peshkimit në Liqenin e Ohrit dhe Prespën e Madhe, si dhe po punohet për hartimin e Marrëveshjes për Tregtimin e Kafshëve të Gjalla dhe Produkteve me Origjinë Shtazore.