Odise Kote: Ja pse tani punet e Skulptorit te Popullit Gori Kostaqi ngjajnë krejt ndryshe...

Ksenofon Kostaqi është një njeri plot hire që nuk ka vendosur ende të bêhet i rritur. Ksenofoni ose Gori siç e thërresin qysh prej më shumë se shtatëdhjetë vitesh është skulptor, Skulptor i Popullit, autor i shumë e shumë veprave nëpër sheshe, parlamente e bashki ballkanike, qendra urbane e parqe. Disa prej tyre gjenden në Galeri Arti si në Tiranë, Gjirokastër, Athinë, Selanik, Nikosia, Stamboll etj.

Krijimtari e tij është e ndarë në dy kohë, para 1990 -tës dhe pas saj. Kohën e dytë, veprat i ka punuar e realizuar jashtë Shqipërisë. Dallimi mes dy krijimtarive ndihet qartas, por ajo që i përbashkon ato, janë syri çapkën, spontaniteti, detaji i hollë, ndjeshmëria e lartë artistike dhe përkushtimi ekzistencial.

Për fat të keq Gori sëmuret rëndë, paralizohet në njërën këmbe e në dorēn e djathtë dhe rikthehet në Gjirokastër. Megjithë shërbimet e çmuara të të birit (mjek i shquar në Europë) nuk bëhet i mundur rikthimi i dorës së djathtë në gjendjen e mëparshme. Ajo humb përgjithmonë. Por Gori, që kurrë nuk e humbi ëndrën e tij e dinte mësimin e jetës: Ai e di se arti përveç se talent është Punë, Qytetërim, para së gjithash, disiplinë: disiplinë fiziologjike, morale, sociale, kulturore dhe shkencore.
Heshturazi çel një galeri të re në Gjirokastër dhe për disa vite rresht (në vetmi e larg zhurmës) ushtrohet me dorën tjetër, dorën e majtë.

Punët e reja të galerisë të lënë pa mend!

Madje po me dorën e majtë, ai realizon dhe basorelievin e ri monumental të dy heroinave Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima, të dëmtuar nga koha, atje në sheshin qendror të Gjirokastrës. Punët e reja tani ngjajnë krejt ndryshe nga ato të dy kohëve paraardhëse; kanë në thellësi tē tyre një dritë që më parë nuk ishte kaq e plotë dhe universale. Është dritë shpirti! Ato sikur janë shpirtëzuar e bërë qënie njerëzore …