Nga sot, ja çfarë duhet të dini dhe zbatoni kur shkoni në parukeritë dhe dentistët

Ja cfare duhet te dini dhe zbatoni nga dita e sotme, 11 maj, kur pergatiteni per te shkuar ne parukeritë dhe dentistët.

Ja rregullat qe duhen zbatuar:
Parukerite dhe berberet:

Krahas kushteve të përgjithshme si për çdo biznes tjetër, parashikohen dhe masa të posaçme si vetëm një klient në 10 metra katror, qese plastike në hyrje për klientët, që më pas hidhen, caktimi i takimeve me telefon që të mos krijohen radhë, ndalimi i qëndrimit brenda të shumë personave, dezinfektimi i gjithë pajisjeve pas përdorimit me një klient, pastrim i ambientit tre herë në ditë etj.

Rregullat kryesore:

Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse. Kujdes duhet treguar në prekjen e mjeteve të punës pas shërbimit të klientit. Fillimisht duhen dezinfektuar dorezat.

Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Klienti që kryen trajtime të fytyrës mund të mos mbajë maskë, por duhet të sigurohet distanca më e madhe e mundshme klient-ofrues shërbimi dhe koha të reduktohet në maksimum. Rekomandohet përdorimi i maskave sa më profesionale apo mjekësore.

Në hyrje, jashtë ambientit, çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) njëpërdorimshe për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Veshje plastike për këpucët përdorin edhe ofruesit e shërbimit nëse nuk përdorin këpucë/ shapka të brendshme sterile.

Në hyrje drejtuar direkt për në dhomën e zhveshjes, çdo klient që kryen shërbime të trajtimit trupor duhet të pajiset me veshje njëpërdorimshe, e cila hidhet në kosh.

Karriket, poltronat, krevatet etj. ku ofrohen shërbimet duhet të vishen me mbështjellëse letre të tipit roll-on me njëpërdorim. Në mungesë të mbështjellëses, vendet e ofrimit të shërbimit duhet të dezinfektohen mirë për çdo klient. Letra e përdorur griset dhe hidhet në kosh.

Peshqirët duhet të jenë të ambalazhuar/paketuar dhe të përdoren vetëm njëherë për çdo klient. Pas përdorimit hidhen në kosh të mbyllur të veçantë. Peshqirët duhen larë çdo ditë. Prekja e peshqirëve të papastër bëhet vetëm me doreza.

Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis klientëve në çdo drejtim. Subjekti riorganizon vendosjen e vendeve të punës si karrige, poltrona, krevatë etj. sipas një plani individual në mënyrë që të respektojë detyrimin e mësipërm. Në rast të pamjaftueshmërisë së hapësirës subjekti shërben aq klientë sa i lejon hapësira duke respektuar detyrimin e mësipërm. Në ambientet me hapësirë mbi 40 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti duke riorganizuar vendosjen për ruajtjen e distancës midis klientëve.

Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i radhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij.

Klinikat dentare
Punonjësit e klinikave dentare janë në mënyrë të veçantë të rrezikuar, për shkak të mundësisë së aerosoleve të prodhuara nga spërklat e pështymës gjatë manipulimit me pacientët.

Këto spërkla mund të përthithen, të vijnë në kontakt me lëkurën ose mukozën, dhe/ose të vendosen në sipërfaqet e ambienteve apo objekteve të klinikës dentare ose materialeve të tjera të përdorura gjatë aktivitetetit apo manipulimeve dentare e për rrjedhojë do të kemi kontaminim të tyre.

Për këtë arsye duhet të ndiqen udhëzimet si më poshtë:

-Personeli shëndetësor dentar/Administratori/personat e tjerë, duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse.

-Personeli shëndetësor dentar/Administratori/personat e tjerë, sipas pozicionit dhe kategorisë së punës duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën.

-Gjatë procedurave invasive punonjësit shëndetësor dentar duhet të vendosin MMP (Mjete Mbrojtëse Personale) sipas nivelit të riskut.

Punonjësit shëndetësor dentar duhet të njohin mirë proçedurën e veshje – zhveshje të MMP dhe eliminimin e tyre si mbetje të rrezikshme infektive.

-Subjektet klinikë dentare duhet të kryejnë në mënyrë rigoroze menaxhimi i mbetjeve infekte në përputhje me procedurat rutinë.

-Subjektet klinikë dentare duhet të pastrojnë, autoklavojnë dhe dezinfektojnë të gjitha pajisjet me shumë përdorim të përdorura për kujdesin e pacientëve.

-Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta përfshirë përshëndetjet.