Ne Kosove, 61 te sheruar dhe 205 raste te reja me covid 19

Ne Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 388 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren prej të cilëve rezultojnë 205 raste pozitive.

Numri total i rasteve pozitive është 4.512 raste nga 27.304 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 97 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Sot më 10 korrik 2020, janë shëruar 61 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 2.156 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.259.

Rastet pozitive janë nga: komuna Prishtinë 87 raste, komuna Ferizaj 25 raste, komuna Prizren 16 raste, komuna Fushë Kosovë 14 raste, komuna Podujevë 13 raste, komuna Mitrovicë 9 raste, komuna Pejë 5 raste, komuna Vushtrri 5 raste, komuna Obiliq 4 raste, komuna Shtime 4 raste, komuna Dragash 3 raste, komuna Lipjan 3 raste, komuna Rahovec 3 raste, komuna Drenas 2 raste, komuna Istog 2 raste, komuna Gjakovë 2 raste, komuna Kaçanik 2 raste, komuna Skenderaj 2 raste, dhe me nga 1 rast komunat: Klinë, Malishevë, Mitrovicë e Veriut dhe Suharekë.

Të nderuar qytetarë!

Virusi është kudo! Ju lutemi përmbajuni rekomandimeve! Virusi vret!
Zbatimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë duhet ta bëjë çdo qytetar i Republikës së Kosovës, që të ruajë veten, të afërmit dhe të tjerët.

BARTJA E MASKAVE MBETET OBLIGATIVE!

Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimin e maskave, dezinfektimin dhe ajrosjen e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura.

Ne po shkojmë drejt një normaliteti të ri. Ky normalitet i ri paraqet ndërrimin e sjelljeve tona për të mirë, për të mbajtur higjienën, për të mbajtur distancën, për të mbajtur maskën, për të mos përhapur piklat tona të cilat i qesim nga goja çdo ditë, dikush më shumë e dikush më pak, e që rrezikojnë shëndetin e të tjerëve, por në radhë të parë shëndetin e të afërmve, të familjes, të fëmijëve, të farefisit, të komunitetit, dhe pastaj të gjithë qytetarëve.

Inspektoratet sanitare të AUV dhe Inspektoratet komunale bashkë me shtabet komunale duhet patjetër të zbatojnë Ligjin për Inspektoratin dhe Ligjin për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse duke u mbështetur në Manualin për luftimin e COVID-19 dhe të merren masa përgjegjësie në çdo rast të mos zbatimit eventual të rekomandimeve të Institutit Kombëtar.

Çdo shkelje e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve. Nuk ka të drejtë askush të rrezikojë jetën e të afërmve të tyre, të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike për shkak të pakujdesit dhe mos zbatimit të rekomandimeve.

Vazhdoni të mbani distancën fizike dhe maskat!
• Lani duart me kujdes disa herë në ditë nga 20-30 sekonda!
• Lehtësimi i masave është bërë për të na bërë më të përgjegjshëm!

Ju lutem të keni kujdes, sepse akoma ekziston rrezik i përhapjes në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve!

NE PO PUNOJMË PËR JU, ANDAJ NA NDIHMONI PAK QË TË JU NDIHMOJMË SHUMË!

Ju faleminderit për mirëkuptim!