Kreu i Kadastrës, Artan Lame: Janë harruar historitë kur prona i merrej njërit dhe i jepej tjetrit

Kreu i Kadastrës, Artan Lame: Shërbimet kadastrale kanë pësuar ndryshim që prej implementimit të sistemit online.

I pranishëm në një aktivitet informues të mbylljes së sporteleve, Lame thotë se prona ka qenë një prej çështjeve më stresuese për shqiptarët prej 30 vitesh. Sipas tij, janë harruar historitë kur prona i merrej njërit dhe i jepej tjetrit.

“Në 30 vjet, çështja më stresuese për shqiptarët ka qenë prona dhe shërbimet e lidhura me të. Lajmi i mirë është fakti që vitin e kaluar, vetëm në këtë fushë, në shërbimet kadastrale u dhanë 1.51 mln shërbime kadastrale nga të cilat janë 242 mijë certifikata pronësie, të gjitha online. Është dyfishi i vitit paraardhës, pra 2020-ës. Tashmë është një histori e harruar, del herë pas here kur shfaqen problematikat e vjetra, historitë e merrja pronën njërit e jepja tjetrit, merrja Lenës e jepja Prenës. Ajo që kemi tani detyrë është që edhe Lenës edhe Prenës t’i shërbehet në mënyrë të barabartë në kohë. Eksperimenti i shërbimeve online, i mbylljes së sporteleve funksionoi, tregoi që funksionon.

Unë vetë kisha shumë dyshime. Viti i kaluar tregoi se funksionon. Zyrat e Kadastrës së Tiranës, Durrësit, Krujës dhe Kavajë, nuk janë në qytet, por janë të grumbulluara në një vend jashtë qyteteve që qytetarët nuk duhet ta dinë fare ku janë, por shërbimet u dhanë njësoj. U dha njësoj, ose gati njësoj. Patëm probleme, shërbimet për qytetarët ka ende vonesa, gabime të bëra dhe mitmarrjes. Vonesa, mitmarrja dhe gabimet janë sfida e këtij viti për shërbimet. Tashmë nuk ka më sportele, s’ka më llafollogë të sporteleve. Të gjithë këta janë prapa një kompjuteri dhe presin që të vijë aplikimi i tyre. Në këtë pikë, ajo që pritet nga qytetarët në vijim është të kenë besim te sistemi dhe institucionet. Të ndjekin procedurat e paraqitura në e-albania. Të ndjekin këshillat që janë aty. Detyra e administratës janë të mëdha”, – tha Lame./ Nga Koha jone/