Këshilla e Agjentit të FBI per SPAK dhe BKH: Mos lini asnjë gur pa kthyer, shikoni nën çdo gur, ky është çelësi për të pasur sukses

Ish-prokurori dhe agjenti i FBI-së, Terrence Hake, ka dhënë dje një sërë mesazhesh për autoritetet shqiptare me qëllim luftimin e korrupsionit. Ambasada amerikane lajmëroi disa herë se të mërkurën në orën 16:00 do të kishte një bashkëbisedim online në Facebook me zotin Hake, i cili u infiltrua në një gjykatë në Çikago për të zbuluar një skemë të madhe korrupsioni gjë që solli arrestimin e mbi 100 gjykatësve dhe avokatëve. Ai fillimisht ishte avokat dhe përmes infiltrimit zbuloi se si bliheshin gjyqet me 100 dollarë gjatë viteve 1980. Gazeta të martën dha detaje nga operacioni “Greylord”, për të cilin ka folur dje Hake. Më poshtë po paraqesim pyetje-përgjigjet e dialogut të tij me komentuesit, ku prokurori amerikan duket se jep mesazhe të vyera për autoritet shqiptare e veçanërisht për Byronë e Hetimit dhe SPAK se si duhet të shkatërrojnë krimin e korrupsionin.

-Si mund të kapet mafia në Shqipëri? Ndërkohë që këtu prokurorët specialë, zyrtarët, gjykatësit, politikanët, të gjithë luajnë një rol në mbrojtjen e tyre (mafias).

Në fakt nuk është se kam shumë njohuri për rrethanat specifike në shtetin tuaj dhe me sistemet që keni ju atje, por në Shtetet e Bashkuara, qeveria federale ngriti forcën që merret me krimin e organizuar, e cila u krijua me qëllimin që të luftohej mafia. Këta ishin prokurorë elitë që ishin mbi korrupsionin (nuk kishte shanse të korruptoheshin). Gjithashtu FBI në Shtetet e Bashkuara është një agjenci e cila qëndron mbi korrupsionin. Pra ne në SHBA kishim prokurorët elitë dhe FBI që mundësuan luftimin e mafias. Kjo funksionoi për ne. Dikush duhet ta marrë një iniciativë të tillë për të implementuar të njëjtën gjë edhe aty tek ju. Diçka tjetër ishte edhe statuti R.I.C.O. U krijuar në 1970 për të luftuar mafian dhe krimin e organizuar. Ka rregulla shumë të forta për shembull me dënimin minimal 10 vite. Pra tre çelësat kyç janë ligje të forta, prokurorë të pakorruptueshëm dhe agjenci të tilla si FBI.

-Ndryshimi midis kontesë Cook dhe Shqipërisë është se FBI është një agjenci federale, në juridiksion federal dhe jo lokal. Këtu në Shqipëri edhe nëse do të kishim disa anëtarë të sistemit të drejtësisë që do të kishin vullnetin e mirë për të luftuar korrupsionin, do të mënjanoheshin shpejt për shkak të korrupsionit të vazhdueshëm. Si mundet Shqipëria të ndërtojë një entitet që të luftojë individët e korruptuar?

Mendoj se kjo lidhet me përgjigjen time të mëparshme. Dikush nga kryesorët, nga elitat e Shqipërisë, duhet të vendosë dhe të thotë që një gjë e tillë, një korrupsion i tillë nuk mund të vazhdojë më. Duhet të bëjmë ligje të forta, agjenci mbi korrupsionin si FBI dhe të kemi prokurorë të ndershëm. Në momentin që dëshiron të bëhesh pjesë e FBI duhen afërsisht 2 ose 3 vite. Kjo sepse bëhet një kontroll i së shkuarës, i të dhënave kriminale dhe kjo kërkon goxha kohë. Më pas kalohet në trajnimin në Akademisë së agjencisë FBI, trajnim që na fakt unë e bëra pasi u bëra pjesë e FBI, rreth katër muaj përpara përfundimit të operacionit Greylord, dhe gjatë trajnimeve të ngulitin thellë etikën, gjykimin moral ndaj ligjit etj. Pra standardet janë shumë të larta. Dhe duke u nisur nga pyetja, mendoj se edhe në Shqipëri ka nevojë për një gjë të tillë, sepse me sa kuptoj ju nuk e keni diçka të tillë.

-Problemi me sistemin në Shqipëri fillon me institucionet e hetimit. Është i korruptuar dhe jo eficent. Në momentin që çështjet shkojnë në gjykatë, kriminelët e kanë rregulluar punën në mënyrë të tillë që çështja e tyre të bjerë. Keni parë funksionimin e një operacioni të ngjashëm me Greylord të funksionojë në vende të tjera? A mendoni se do të funksiononte diçka e tillë edhe në Shqipëri?

Një operacion 100% të njëjtë me Greylord nuk është se kam parë. Kam pasur rastin që të flas në Kosovë, në delegacione në Bangladesh, por kur fola në Indonezi për Departamentin e Shtetit rreth pesë vite më parë, mu tha që edhe aty ka një njësi elitë hetimi me të cilën unë fola, dhe personat që ishin pjesë e asaj njësie kuptohej që ishin të pakorruptueshëm. Pra nga sa ata më thanë një operacion i ngjashëm ka funksionuar në Indonezi, kundër zyrtarëve publikë. Bangladeshi gjithashtu ishte në procesin e ngritjes së një agjencie të tillë. Operacion të ngjashëm me Greylord e kam parë të funksionojë në shtete të ndryshme të tjera amerikane si për shembull, Pensilvani, Detroit, Michigan dhe New York.

-Prokurorët kanë ligjin si armën e tyre. Si mundemi ne, populli i thjeshtë që të mund të ndihmojmë në luftën kundër korrupsionit?

Ajo që më vjen e para në mendje është fakti se në momentin që ne u bëmë publikë, kishim njerëz të cilët kishin qenë viktima të korrupsionit që vinin dhe na ndihmuan e na dhanë të dhëna për të hetuar raste të tjera. Greylord përfundoi në dhjetorin e 1983 dhe njerëzit vinin dhe na thoshin se si ishin viktima të këtij sistemi të korruptuar. Mbaj mend që morëm shumë ankesa nga gjykatat e Divorcit, në Chicago. Kishim pa fund ankesa nga persona që na ankoheshin se kishin qenë të padrejta vendimet për ndarje pasurie apo kujdestarie të fëmijëve, sepse ish-bashkëshortët kishin përdorur ryshfetin në mënyrë që vendimi të ishte siç i interesonte atyre. Si pasojë ne akuzuam dy gjykatës nga Gjykata e Divorceve, sepse qytetarët folën dhe u ankuan tek FBI. Në fakt do të ishin tre gjykatës të akuzuar, por një natë përpara se të shpallej akuza kundrejt tij, ai vrau veten. Pra jo vetëm gjykatat kriminale (Penale), por edhe gjykatat që merreshin me çështjet civile, ishin pjesë e vorbullës së korrupsionit. Në një çështje për shembull kishim përfshirjen e një gjykatësi në një ryshfet prej 15.000 dollarësh dhe ishte pjesë e Gjykatës Civile jo Penale.

-A rrezikohej jeta juaj ndërkohë që vepronit si i infiltruar?

Gjatë operacionit Greylord unë kisha frikë nga tre persona. Kisha frikë nga Lucius Robinson i cili ishte përmbarues i gjykatës së kontesë Cook. E kisha frikë se ishte i fortë, në punën e tij mbante armë, dhe në ditët kur Muhamed Ali ishte në Chicago, Lucius ishte truproja e tij. Pra kisha frikë nga ai dhe ai më urrente sepse ai mendonte se unë e kisha tradhtuar, por fatmirësisht nuk më ndodhi gjë. Kisha frikë nga Jim Castello ndërkohë që kishte dhënë ryshfet rreth 20 herë për gjykatësin Olson, kisha frikë prej tij sepse ishte shumë i frikshëm dhe ishte i rrezikshëm sidomos kur pinte alkool. Kisha frikë edhe nga një avokat sepse ishte më i korruptuari në Chicago në shtetin e Illinoisit dhe ishte avokat që mbronte mafian. Dhe nëse do tua kërkonte si nder, mafia edhe mund të më vriste. Madje një nga informatorët tanë më tha që kishte kërcënuar të më vriste, por fatmirësisht jam akoma këtu. Por edhe tani kam frikë ta ndez makinën në mëngjes.

-A kishit ndonjë mbrojtje gjatë kësaj kohe? Si u përballët me këtë situatë?

Unë isha një prokuror i ri. Kisha përfunduar universitetin për drejtësi dhe kisha njohuri për ligjin penal. Por ndërkohë nuk kisha marrë asnjë lloj trajnimi për të punuar si i infiltruar. Dhe ata mund të të çonin në tualet apo në cepa të ndërtesës, dhe dy herë madje unë kërkova për mbështetje nga agjentët, por agjentët që më ndiqnin nuk mund të më ndiqnin deri në tualet, kështu që shumicën e rasteve isha vetëm unë dhe duhej të mbështetesha vetëm tek vetja. Dhe një ngjarje për shembull që tani më duket për të qeshur, është se kur morën vesh nga informatori se avokati i mafias kishte kërcënuar të më vriste, FBI më dërgoi në shtëpi me një biper. Ç’mund të bënte një sinjalizues për të më ndihmuar që të mos më vrisnin? Dhe duke qenë se nuk kisha marrë trajnimin dhe në atë kohë nuk isha ende një agjent i FBI nuk më lejohej që të mbaja armë me vete. Kështu që isha vetëm. Kishte raste të avokatëve me të cilët pata edhe konfrontim sepse dëshironin që të kuptonin nëse punoja si i infiltruar, duke qenë se në këtë kohë kishte edhe thashetheme që thonin se punoja. Fatmirësisht i mbijetova gjithçkaje.

-Sa pasiv ose aktiv është roli i një agjenti të FBI? A i shtyn ai njerëzit të përfshihen në krime ose të kryejnë krime?

Këtu ne e quajmë t’i ngresh kurth. Në operacionin Greylord u akuzuan 124 individë. Tani ju mund të mendoni se sa prej këtyre të akuzuarve e përdorën si teknikë mbrojtjeje, ngritjen e kurtheve nga ana e FBI në mënyrë që të kryenin këto krime. E vërteta është që janë zero. Kjo sepse ne ishim super të kujdesshëm në atë se çfarë i thoshim këtyre individëve. Për shembull në rastin e parë që duhej që të korruptoja dhe t’i jepja një ryshfet një gjykatësi, ne e përgatitëm me kujdes atë që do të thoja. Prokurorët federalë më lajmëruan shumë herë që të mos i thoja gjykatësit: Unë dua të të jap 100 dollarë. Përdor një gjuhë të vagullt me të. Kështu që fjalët që unë përdorja ishin: Gjykatës unë dua të tregoj vlerësimin tim për ju për këtë apo gjykatës unë dua të tregohem i drejtë me ju për këtë që po më bëni (pra vlerësimi ishte i barabartë me para). Atëherë gjykatësi më përgjigjej që njeriu që duhet të takoja duhet të vinte aty për pak minuta, pra do të thoshte që sekseri i tij do të vinte aty. Pra ne i planifikonim këto gjëra në mënyrë shumë të kujdesshme, ne i zgjidhnim edhe targetet tona shumë kujdesshëm. Në atë kohë ishin 324 gjykatës në kontenë Cook. Ne dhe FBI kishim një listë prej 80 gjykatësish për të cilët kishim arsye të besonim se merrnin ryshfet. Pra rreth 1/3 e gjyqtarëve. Dhe të mendosh që këta 80 ishin vetëm ata për të cilët kishim dëgjuar, në opinion tim ishin shumë më shumë. Siç dëshmova edhe në gjyq, unë mendoj se gjysma e gjyqtarëve ishin të korruptuar. Që në fakt është një numër shumë i madh.

Si mund të jemi të sigurt nëse një prokuror është i pakorruptueshëm? Çfarë garancie mund të ketë publiku?

Kurrë nuk e di me siguri. Por nëse ai apo ajo është i mbikëqyrur nga supervizori në mënyrë të duhur, atëherë supervizori do ta dijë. Në rastin tim, unë po punoja si një prokuror i korruptuar, por që supervizori im as që e kishte idenë që isha i tillë sepse ai kurrë nuk ishte aty rrotull. Ai ishte gjithmonë në zyrën e tij, në katin e 14 në ndërtesën e Gjykatës Penale, ndërkohë që unë isha në katin e parë. Ai gjithmonë ishte duke pirë kafe apo duke bërë biseda me prokurorët gjithë mëngjesin. Ai as nuk e kishte idenë se çfarë bëja unë në sallë gjyqi apo në zyrë. Në atë kohë në funksion të qëllimit të hetimit, unë po shisja çështjet e mia për ryshfet. Pra unë mendoj që në rast se një prokuror mbikëqyret në mënyrën e duhur, dhe mbi të gjitha nga një supervizor i ndershëm, kjo do të ndihmonte në heqjen e dyshimeve. Gjithashtu edhe kolegët mund të krijojnë ide ose mund ta dinë nëse një prokuror është i korruptuar apo jo.

-Këshilla juaj për agjencitë e ligjit për luftën e tyre kundër korrupsionit në Shqipëri?

Këshilla ime do të ishte që të vazhdojnë dhe të mos dorëzohen. Ka gjithmonë një provë më shumë që mund ta kontrolloni, një person më shumë që mund ta vëzhgoni, thjesht mos hiqni dorë. Mos lini asnjë gur pa kthyer, shikoni nën çdo gur. Ky është çelësi për të pasur sukses, në çdo punë, por besoj sidomos nëse jeni pjesë e agjencive ligj zbatuese në Shqipëri apo edhe në Amerikë. Vetëm vazhdoni. Mos hiqni dorë./Sot.com.al/