Hajria“Nderi i Delvines” dhe Tana ne bust, 15 vite midis

Hajria“Nderi i Delvines” dhe Tana ne bust, 15 vite midis shkruar nga gazetari Thoma Nika

Dje  gruaja delvinjote e skenës dhe ekranit, i erdhi në bronz shtëpisë së vajzërisë dhe rinisë së parë të saj.
Iku si Hajrie e Veizajve të Delvinës dhe u kthye si një Tanë, e dalë nga memorja e shqiptarëve për filmin, ku ajo dha shkrepjen e parë si aktore që do të bënte histori.
15 vite më parë, në marsin e vitit 2006, ajo do të ishte në Delvinën e saj për të marrë emocionin e shpalljes “Nderi i Delvinës”.
15 vite më pas, i vjen Delvinës në bust.

Këto dy momente rrinë pranë e pranë në dy fotografi: Hajria e nderuar në të gjallë dhe Tana, e përjetësuar në zemër të Delvinës, me derdhjen skulpturore të Kreshnik Xhikut.


Skulptori e kishte mbaruar dhe dorëzuar veprën. Ishte i kënaqur, se karakteri dhe tiparet i kishin dalë të gdhendura. Por nuk e quante punë të mbaruar. Më takoi dhe më pyeti se çfarë mund të shtonte fjala e gdhendur në bustin e saj. Emri dhe mbiemri, viti i lindjes dhe i vdekjes. Kurrësesi, një bust nuk është si një gur varri.
– Do mendjen time?, i thashë. Nuk ka gjë më të gjetur se ajo që vetë Hajria ka thënë për veten, në raport me Delvinën.
– Më thuaj, çfarë ka thënë?, pyeti tërë interes prej artisti.
– Jam “kanakarja” e Delvinës, e thënë ndryshe: e përkëdhelura e saj, ka thënë aq bukur ajo, kur Delvina i vuri një kurorë dafine, duke i thënë “Je Nderi im”.
-E gjetur, shprehëse dhe impresionuese kjo, tha skulptori Xhiku.
Ndërkaq, e komplimentova se skulptura e tij, që “e ngjall” Hajrien nga Tana, nga vajza e komedisë së Çajupit, është një gjetje e bukur. Një rol i madh i saj te komedia “14 vjeç dhëndërr”, kur edhe ajo ishte ende e parritur mirë.
Ajo vetë ma kishte thënë këtë 15 vite të shkuar, se ishte Tana, që e bëri të famshme Hajrie Rondon. E prandaj ajo e kishte atë rol si kurorën e artit që bëri.
Me vizatimin tipik dhe të vërtetë të figurës që ka krijuar, ka futur në dilema pa fund shumë njerëz: Të jetë nga Zagoria e autorit ajo Tana, të jetë nga Fieri, ku jetonte e punonte aktorja, apo nga Delvina e origjinës së saj??
Aq sa delvinjotët e saj besonin se edhe krijesa e saj e dashur, Tana, pra, duhet të jetë nga qyteti i tyre, ashtu si vetë Hajria është nga qyteti i vogël jugor.
Shumë gjëra të fillimit Hajria më pat thënë se ia dedikon Delvinës. Gjimnazistes delvinjote, e shquar ndër shoqe në koncertet dhe shfaqjet e shkollës, këtu i shkëndijoi dëshira të bëhej artiste. Ajo kujtonte se si ishte ekrani i madh i kinemasë së vogël të Delvinës, mbuluar me llamarinë, që ia ndezi shkëndijën dhe shpresat se një ditë do ta shihte veten në afishet e teatrit dhe në titrat e ekraneve. “Harrohesha pas artistëve të mëdhenj rusë-më ka treguar Hajria-dhe që atje mora një vendim: unë do bëhem aktore.
Dje u përjetësua si aktore, me bustin në mes të Delvinës.