Doktori i njohur Tritan Kalo i shqetesuar per shtimet e rasteve në të rinjtë, nën 35 vjeç

“Një dukuri e veçantë në ecurinë e këtyre ditëve të kësaj “flame mbarëbotërore”, janë shtimet e rasteve në të rinjtë, nën 35 vjeç. Pamjet e publikuara alarmuese të CT-Cannereve u përkasin pikërisht dy prej tyre, kurrë mos të harroni se Sars-Cov2/Covid-19 prek çdo moshë si dhe lëndon me rrezik jetëmarrëse jo vetëm ata me komorbozitete dhe moshat e treta”, ka deklaruar i shqetesuar Dr.Tritan Kalo.

“Bëni kujdes vëllezër e motra. Zbatoni me bindje e përpikmëri këshillat e profesionistëve për distancim fizik, higjienë personale, ajrim të mjediseve, ushqim, rehidrim, mbajtjen e maskave në mjediset e mbyllura apo të mbipopulluara. Përkujdesuni si për jetët tuaja, por edhe të atyre që gjallojnë pranë jush. Tirana këto kohët e fundit sikur “nuk e ndjen fare” erën e dezinfektimit të rrugëve dhe të mjediseve publike, e jo vetëm…higjiena kolektive është një domosdoshmëri në këtë sfidë”, ka nenvizuar ai.

“Po ashtu miq, kolegë, dashamirës dhe bashkëkombës, COVID-19 nuk ka përkatësi partiake dhe ajo nuk “përkëdhel” të majtët apo të djathtët. Është një virus sëmundje-shkaktues dhe jetë-marrës “Pa dallim Feje, Krahine dhe Ideje”. Mirëbesimi reciprok dhe ndërgjegjësimi kurrë nuk duhet t’ju mungojë. Asgjë nuk u është e pamundshme kur ne bëhemi bashkë në përpjekjet tona. Gjelbërimi e frutëzimi i ullinjve në oborrin e spitalit Covid-1, Shërbimi i Sëmundjeve Infektive në QSUT, janë një dëshmitar i këtij optimizmi real. Together forever”, eshte shprehur mjeku i njohur.