Bledi Çuçi:Fitorja nuk është eufori, por përgjegjësi, vota nuk është trofe, por besim

Disa minuta me pare, ne faqen e tij ne fb deputeti i Gjirokastres Bledi Çuçi ka bere kete postim, ne shenje mirenjohje per te gjithe ata qe e votuan ne zgjedhjet parlamentare :

Populli foli në 25 prill! Foli ashtu siç e kërkon demokracia, me votë. Dhe me votë na besoi përgjegjësinë e rëndë që të udhëheqim vendin për një mandat të tretë! Është kjo votë masive që në qarkun e Gjirokastrës i dha Partisë Socialiste 3 mandate për Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.

Ekipi i kandidatëve për deputetë të qarkut, që unë e kam nderin të drejtoj e arriti objektivin që pakkush e besonte kur e bëra publike 2 muaj më parë!

Nuk e fsheh sot kënaqësinë për këtë rezultat të punës së të gjithë skuadrës të Partisë Socialiste, që nga kryetarët e 7 bashkive e kryetarët e PS në këto bashki, deri tek socialistet më të thjeshtë, ata që nuk bërtasin por punojnë, ata që nuk kërkojnë por japin, ata që nuk marrin por nuk kursehen.

Skuadra që unë drejtoj u angazhua të punonte jo për ambicie personale, por për një qëllim të vetëm dhe për një objektiv të përbashkët: të fitonim me punë në skuadër 3 mandate të Partisë Socialiste. Dhe në emër të skuadrës unë sot kam nderin të pohoj se ky objektiv u realizua.

Prandaj i jam mirënjohës çdo socialisti që punon në këtë qark, çdo votuesi të këtij qarku që dha votën për Partinë Socialiste. Tashmë fitorja nuk është eufori, por përgjegjësi, vota nuk është trofe, por besim, 3 mandatet nuk janë karrige, por punë, punë, punë me të cilën ne do t’ia kthejmë besimin që na dhanë, punë e cila fillon që sot. Kjo është pak, por e sigurt!
FALEMINDERIT