Stomatologia Grisela Fico: Ja ku Duhet te Drejtoheni per  Urgjenca Stomatologjike...

Stomatologia Grisela Fico: Ja si duhet të veprojnë qytetarët
Mjekja stomatologe, Grisela Fico, e cila është edhe pedagoge e jashtme në Fakultetin e Mjekësisë Dentare ka zbuluar disa nga rrugët që duhet të ndjekin qytetarët për të marrë shërbime stomatologjike, në kushtet kur të gjitha klinikat dentare janë mbyllur, për shkak të masave drastike të marra nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zonja Fico, e cila është pjesë e Klinikës Dentare “Fico Dental” u shpreh se momentalisht të gjithë klinikat dentare në vend janë mbyllur, ndërsa zbuloi se qytetarët që kanë urgjenca stomatologjike të shkojnë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për të marrë shërbim. Më tej, stomatologia e njohur bëri me dije se klinikat dentare do të qëndrojnë mbyllur deri më datën 3 prill, ndërsa iu bëri thirrje qytetarëve të reduktojnë kontaktet, duke shtuar se kjo është koha të dëshmojmë sa bëjmë për njëri-tjetrin, në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e Covid-19.

-Doktoreshë Grisela, Shqipëria dhe bota po përballen me COVID-19. Në kuadër të masave që janë marrë në vendin tonë, ishte edhe ajo e mbylljes së klinikave dentare. Si e shihni një vendim të tillë?

Shërbimi stomatologjik në vendin tonë është i një niveli të lartë qoftë nga materialet, mjetet, teknikat kontemporane të trajtimit, por edhe në mënyrat dhe mjetet e sterilizimit në mbrojtje të mjekut dhe pacientit. Manipulojmë gjithmonë njësoj të mbrojtur, sikur çdo rast te jetë një mundësi kontaminimi. Pra, dua të them që jemi trajnuar të tregohemi ekstremisht të kujdesshëm për sa i përket sterilitetit. Pavarësisht kësaj, nisur nga fakti që si dentist kemi kontakt të shtuar me salivën (pështymën) e pacientit, (saliva dhe sekrecionet naso-faringeal konsiderohen ndër kryesore të kontaminimit), rreziku mbetet i lartë, dhe masat të arsyeshme! Më duket një vendim i drejtë, pavarësisht vështirësive që mbart (pacientë nën trajtim, aspekti financiar, etj.)

-Si duhet të veprojnë qytetarët që kanë nevojë të paraqiten te një stomatolog?

Per pacientët që kanë nevojë për shërbim dentar, vëmendja për momentin qëndron vetëm në trajtimin e urgjencave stomatologjike. Rastet e emergjencave dentare do të kenë mundësi të trajtohen në institucionet stomatologjike publike Klinikën Stomatologjike Universitare (KSU) pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

-Ka një plan se kur pritet të rihapen klinikat dentare?

Sipas një vendimi të marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale më datë 12/03/2020, është urdhëruar mbyllja e kabineteve /klinikave dentare deri më datë 3/04/2020. Le të shpresojmë për një dekurs pozitiv të situatës, në mënyrë që të mos lindë nevoja për shtyrje përtej këtij afati të vendimit në fuqi.

-Duke qenë se ju jeni pjesë e sistemit shëndetësor, si duhet të veprojmë për të përballuar situatën? Keni një mesazh për qytetarët?

“Të luftosh i paarmatosur kundër një armiku të padukshëm”. Shprehem “ i pa armatosur”, pasi ende nuk ekziston një vaksinë apo mjekim i mirëfilltë kundër COVID-19. Mjekimi bazik mbetet ai simptomatik, ç’ka do të thotë vepron mbi simptomat ( shenjat klinike), jo kundër shkakut. Jemi ne… që përmes izolimit dhe ndërprerjes së përkohshme të kontakteve me njëri-tjetrin, ta çojmë situatën drejt reduktimit kontaminimit, reduktimit të rasteve të infektuara me COVID-19 deri në zhdukje të tij.

-Si i shihni masat e qeverisë për të ndaluar qarkullimin dhe a kemi kapacitete për ta përballuar pandeminë?

Përsa i përket kapaciteteve në shtretër, aparatura etj. Nuk jam personi i duhur për të dhënë mendim pasi nuk kam informacion të mjaftueshëm. Por, si mjeke dhe ish-studente e disa prej mjekëve të vendosur në frontin e parë të luftës kundër COVID-19, di të them që kemi profesionistë ekselentë tek të cilët mund të kemi besim të plotë. Me masat e marra dhe ndërgjegjësimin publik për t’i respektuar ato shpresoj të mos na duhet të testojmë limitet e kapacitetit. Kam besim, si shqiptarë që jemi, do dimë të bëhemi një ashtu si ne dimë në ditë të vështira, duke qenë në sinkron, ku secili bën detyrën që i takon në këtë luftë, në mënyrë që të fitojmë sa më shpejt e me sa më pak humbje!Intervistoi: Rigels Seliman