Ja postimi doktoreshes:
Edhe une po përballem me pasojat e Covid -19. Përjetova dhimbje të forta shtrënguese dhe rënduese, në muskujt e shpinës. Më pas, mu ngrit temperatura deri në 38.5 gradë e cila ulej për pak kohë pas marrjes së paracetamolit. Ditët me temperaturë të lartë, ndjehesha shumë e lodhur, e këputur fare.
Falenderoj Rajmondën, mjeken e familjes, që si shoqe, kolege, dhe mjeke e mirë, më pyeste çdo orë, sesi ndjehesha.
Falenderoj po ashtu Arencin, mjekun epidemiolog që bashkë me Rajmondën këmbëngulën të bëja sa më shpejt skanerin e pulmoneve, pavarësisht rezultatit negativ të tamponit për Covid-19.
Falenderoj profesorin e dashur dhe human, dhe profesionistin hero të këtyre ditëve, Z. Tritan Kalo, për kohën që më kushtoi duke më konsultuar dhe inkurajuar online.
Falenderoj edhe Ajetin, që erdhi në shtëpi, më mori me karrocë, më çoi në spital për të bërë skanerin e pulmoneve i cili më inkurajonte gjatë gjithë kohës që po ktheheshim për në shtëpi me përgjigjen që morëm për praninë e Covid në mushkëritë. Edhe Dëfrimin, Teutën, i falenderoj që më morën në duar dhe më shtrinë në shtratin e skanerit.
Falenderoj edhe Ganën, Elvisin, infermierët që duke respektuar masat antikovid erdhën në shtëpi dhe më morën gjakun për të bërë analizat. Edhe ish shefen time, sot mjeke në pension, Figali, e falenderoj për ndihmën dhe inkurajimin që më dha. Edhe Arbenin, mjekun kirurg, e falenderoj për ndihmën e tij. Jetën, Ermionin, dhe të gjithë kolegët e mi, shoqen time farmaciste Zhanin, po ashtu i falenderoj për ndihmën, mesazhet inkurajuese dhe urimet pët shërim sa më të shpejtë. Shoqja ime e fëmijërisë, Elvira, sot mjeke në Amerikë, shoqja ime e viteve të shkollës, dr. Evelina, që sot është mjeke në Itali, dhe Profesori im i dashur, Z. Lutfi Alia, që sot jeton dhe punon në Itali, kanë mbajtur komunikim të rregullt gjatë këtyre ditëve duke më këshilluar qetësi dhe kujdes për veten.
Vërtet unë jetoj me mamin, por ne jemi mes miqsh që na duan dhe i duam.Ah, mami, mami, që po tregon me mua heroizmin e radhës. Ju shtua jo vetëm barra emocionale, shpirtërore por edhe ajo fizike, sepse kujdestarja ime, Elvira, rezultoi pozitive me Covid -19, një javë para meje dhe kështu që nuk mund të vijë për të na ndihmuar.Vëllaçku im, Genti, interesohet i merakosur jo vetëm për mua por edhe për shëndetin e mamit. Të gjithë familjarët u shqetësuan për ne. E djeshmja, ishte dita e parë pa ankesa, temperatura u ul, dhimbjet muskulare u qetësuan, lodhja fizike u reduktua, sepse fillova mjekimin që më rekomandoi Profesor Tritani, për të mbrojtur jo vetëm munshkëritë prej Covid-19 i cili kishte formuar disa vatra në zonën periferike të mushkërive, por edhe për të mos e lejuar atë që të më shkaktojë dëmtime në Sistemin Nervor Qëndror, sepse gjatë këtyre ditëve mu rënduan të gjitha ankesat që kam prej sëmundjes, Multiple Sklerosis.
`Ju tregova me hollësi dhe sinqeritet çfarë jam duke përjetuar me Covid-19 duke dashur t’ju them se, me traditat e mira vëllazërore që kemi në komunitet dhe me më shumë kujdes për veten dhe të tjerët, do ta përballojmë pa shumë pasoja pandeminë nga Covid -19. Kujdesuni shokëni, ju kam xhan.Vjollca