“Vallja në sini”, me interpretues të shquar si Xhipe Mezini

Historia për ta shkon deri në kufijtë e një legjende kur bëhet fjalë për vallen në sini që interpretonin me dashuri, pasion, elegance e finesë. Etnologët e sotëm pranojnë se është një valle shumë e hershme dhe, interpretues të saj kujtohen vetëm ata, baba e djalë, Bame dhe Xhipe Mezini.

“Vallja në sini”, valle e kënduar, me burim të parë Gjirokastrën, është përcjellë nga njëri në tjetrin dhjetëvjecar, njohur dhe “publikisht”, në skenë të hapur, në sheshin e Çerçizit, në fillimet e shekullit të 20-të nga Bame Mezini, banor i vjeter i lagjes Pazar i Vjetër.

Këtë valle, plot hijeshi, xha Bamia e kërcente mbi sini, me tabaka në kokë me gota të mbushura me raki, ashtu anët e sheshit të sinisë me gota rakie mbushur deri në grykë. Në festa, e kërcente i veshur me kostum kombëtar dhe vallja i kishte lezet, se palët e fustanellës hapeshin fletë fletë, si fletët e një trendafili të bardhë.

Pas tij, dhe jo nga ndonjë valltarë tjetër, është luajtur nga djali, Xhipia, me profesion shofer, valltar dhe këngëtar i shquar i këngës gjirokastrite. Vallen në sini, që çuditi botën, ai e luajti në Festivalin Folklorik Kombëtar të vitit 1973, vlerësuar edhe me çmim, përdridhej dhe këndonte, me vargje si keto:

“Dole në divan me shkallë,

Hodhe këmbën në shalë,

Mu te porta në të dalë,

ç`të tha gruaja dy fjalë,

Nisu burrë, të qoftë rruga e mbarë”.

Bame Mezinin, anëtar i pleqësisë të klubit Drita dhe ndihmëtar për botimin e librave dhe çeljen e shkollave shqipe, pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në kështjellën e qytetit me 4 dhjetor l912; në mbrojtje të trojeve në ‘14 dhe 20-tën, në Luftën e Vlorës, Odise Paskali e vlerëson duke u shprehur se ishte nga nismëtarët e parë për ngritjen e monumentit të Çerçiz Topullit, ndërsa Siri Shapllo, Mësues i Popullit, veprimtarinë e tij e lidhte me kontributin e dhënë për çeljen e klubeve dhe shkollave.

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com