Vajzat e Valles Tradicionale të Dropullit dhe Sazet e Këlcyrës në “Ahengun Shkodran”

Në qytetin e Shkodrës u organizua “Ahengu shkodran”, shpallur si një ndër shtatë kryeveprat e trashëgimisë shpirtërore shqiptare.

Koncertit të organizuar në shtëpinë Muze të Kategorisë së Parë të Rilindësit Pashko Vasa me pjesemarrjen e Orkestrës Frymore të Bashkisë së Shkodrës dhe grupit të burrave “Burimi” të Ulqinit iu bashkua edhe grupi i valles tradicionale të vajzave të Dropullit dhe Sazet e Këlcyrës.

Nga biseda që patëm me fotografin profesionist të Gjirokastrës në këtë event Zyhdi Hykaj, mësuam se grupi i vajzave të Dropullit dhe sazet e Kelcyrës u vlerësuan me duartrokitje per interpretim me nivel të lartë artistik.

“Ahengu shkodran” është një manifestim i përvitshëm i promovimit të vlerave muzikore qytetare të qytetit të Shkodrës me tradita te shkëlqyera në këtë fushë.

Nuk bëhet fjalë për 10-20 këngë, por me qindra dhe vetëm dasma shkodrane ka një numër ekzakt që është gati 320.

Kjo trashëgimi e madhe ka nje histori shekullore dhe ka dalë nga zejtarët dhe artizanët e Shkodrës, pasqyruar në një nga kryeveprat e Idromenos dhe është që nga koha e Vezirit të Shkodrës, Mustafa Pashës.

Në “ahengun shkodran” janë kënduar qindra këngë dhe ato që kanë mbetur janë perla, tipike të këngës shkodrane me bukuri muzikore tradicionale dhe tekste të mrekullueshme.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com