Mësoni më shumë për Sheshin e Çerçizit

Gjirokastra, si çdo qytet i Shqipërisë, për kremtimin e dy festave të mëdha, 28 dhe 29 Nëntorit është zbukuruar hijshëm, me flamuj e banderola, mbrëmjeve me vargun e dritave që ndricojnë Qafën e Pazarit, kështjellën dhe objekte të tjera historike të saj. 

 

Kujdesi për krijimin e një atmosfere sa më festive është treguar për sheshin më të madh të qytetit që mban emrin e Heroit te Popullit, Çerçiz Topulli. Dhe më të drëjtë. Ky shesh për emrin dhe historinë që mbart, e meriton plotësisht vëmendjen për zbukurimet ashtu dhe për aktivitetet që zhvillohen aty, sikundër organizoi dje dhe sot Bashkia e Qytetit.

 

Më parë, deri ditën kur u përurua monumenti i Çerçiz Topullit, quhej Sheshi i Policisë për faktin se pranë një pike karburanti, agjencisë së udhëtarëve dhe godinës së bashkisë ishte dhe posta e Policisë. Sheshi kishte disa ndërtesa që sot nuk ekzistojnë; ndërtesa e Bashkisë me veprimtari deri në vitin l944, kur nga qyteti u largua dhe kryetari i saj i fundit, Xhevat Kallajxhi, ish botues i gazetes “Demokratia”.

 

 

Ajo nuk ekziston më, dikur komode e hijerëndë si shfaqet dukshem edhe në një foto të vjetër të vitit 1919. Në ballin e katit të dytë të saj ishte ballkoni që shërbente për oratorët e pushtetit dhe politikës. Ndërtesa iu bashkëngjit asaj të turizmit, përuruar në vitin 1964 dhe pas vitit 1990 u kthye përsëri në hotel, tani brenda e jashtë i rikonstruktuar.

 

Në krah me hotel Argjiro, gjithashtu i rikonstruktuar bukur pa humbur arkitekturën, me mjedise për shlodhje e akomodim, ka qënë vila e Themeli Litos e cila, pas çlirimit shërbeu Hotel edhe për titullaret e lartë dhe të huajt, më parë tregëtore dhe banesë, ndërtesë e stilit të arkitekturës italiane por që u shkatërrua për ngritjen e hotel Çajupit.

 

Dikur Hoteli i Hadërajve nga kalldrëmi me “lule” që shkon deri në “zemër” të Qafës së  Pazarit përfaqësonte hotelin më luksoz për kohën në qytet, quhej “Royal”, i pari në vitet e Zogut për pritje e percjellje të autoriteteve, vendas e të huaj. Perveç dhomave të gjumit kishte edhe një restorant e bar modern për kohën. Në këtë objekt nuk kanë humbur elemente karakteristikë të arkitekturës neoklasike italiane si ballkonet, kangjellat, elementet dekorative në kornizat e dritareve, etj.

 

Këtu ka fjetur më 14 maj 1941 Mbreti i Italisë, Emanueli i III. Ceremonia e pritjes u zhvillua në shesh ndërsa kokteji në sallën e pritjeve të hotelit. Mbreti fjeti në katin e dytë të ndërtesës, ballkoni i së cilës shikonte nga sheshi kryesor. Të nesërmen, nën masat e një sigurie të lartë, u largua duke lënë pas kureshtjen dhe thashethemet e njerëzve gjysëm të përgjumur që kishin dalë në shesh. Ardhja e Mbretit kishte ngjallur kureshtje, frikë dhe shpresë për investime, siç filluan, por jo në zemër të Pazarit, por në Gërhot.

 

 

Në këtë hotel kanë fjetur dhe motrat e Mbretit Zog.

 

Për nder të Fan Nolit, kur erdhi për herë të parë në Gjirokastër, për fushatën e zgjedhjeve parlamentare, intelektuale të qytetit Vangjel Koca, Thoma Papapano, Xhevat Kallajxhi, Jorgji Meksi, per nder te tij i shtruan nje darkë.

 

Hotel Argjiro, sic quhet sot, pronë e fisit Bendo, dikur banesë për familjarët e parë, po në vitet e pas çlirimit  zyra të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, u restaurua dhe shërbeu hotel e zyra për institucionet, për t’u kthyer në destinacionin Hotel pas vitit 1990 dhe sot me pamje të re, i rikonstruktuar, brenda, me dhoma për fjetje, salla për konferenca etj.

 

Në nëntor 1964 në sheshin e Çerçizit u përurua ndertesa e turizmit që mori emrin “Hotel Çajupi”, po me këtë emër dhe sot. Godina ekzistuese, përpara se të prishej ishte bar-kafe me emrin “Bella Venecia” dhe me mjedise te tjera sherbimi, poste, berberanë, kinkaleri-librari etj

 

Banesë me tre kate, me funksion banim dhe sherbime është dhe sot në këmbë ndertesa e Kashahajve, dikur, në ditët e saj më të mira, hotel, bar dhe kafe, sherbime artizanati etj, ndersa sot kati i pare dhe i dyte i restauruar per kafe dhe zyra.

 

 

Në hyrje të sheshit, në një faqe muri ështe vepra skulpturore ‘”Festivalistët”. Më tej, në krye, në zemër të sheshit lartësohet përmendorja e heroit kombëtar Çerçiz Topulli përuruar më 18 mars 1934; monumenti i gurte kushtuar heroizmit të heroinave të popullit Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, që u varën nga nazistët gjatë Luftës së dytë Botërore; monumenti kushtuar tre qytetarëve të shquar Eqrem Çabej, Ismail Kadare e Musine Kokalari nderuar nga Bashkia me titullin e lartë “Nderi i Qytetit”; pllaka-kujtesë për diten e pranimit të qytetit muze si trashegimi boterore e mbrojtur nga Unesko.

 

Sheshi historik, Sheshi i Çerçizit, me memorje të pahumbur në kohë, ka parë e dëgjuar udheheqës nga vendi e bota po pa humbur qetësinë, indiferencën dhe krenarinë. Ashtu ne çdo kohë, fotografuar e filmuar, ca më shume në vitet e sotme, i bredhur virtualisht në gjithë botën e në çdo pamje të shfaqur thotë “ Une këtu jam!”.

 

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com