Gjirokastrën e kanë quajtur edhe “Qyteti i Manxuranës”?! A e dini kush?

Nuk ka gjirokastrit që të mos e dojë dhe dallojë lulen e manxuranës që mbillet në poçe e vazo dhe vendoset në çdo dritare të banesave karakteristike.

Kafe-guri me manxuranë që nuk mund ta pish as në Romë, as në Nju Jork dhe as në Brazil, atdheun e kafesë…

Kjo lule është e pranishme dhe në çdo ballkon të aprtamenteve se gjirokastritët janë rritur me këtë lule, me ato fletë si pëllëmba e dorës, siç shkruan nje shkrimtar i mirënjohur gjirokastrit që Gjirokastrën e ka quajtur edhe ”qyteti i manxuranës”.

Kjo lule, që ka shëtitur botën dhe që merret me vete edhe nga gjirokastitët e larguar, ka një gjelbërim të përhershëm, por mbi të gjitha një erë të këndëshme e të veçantë. Gratë gjirokastrite, kur dikush vjen për vizitë dhe duan të tregojnë një shkallë të lartë nderimi, e gostitin me kafe guri (të shtypur në një dybek guri) dhe mbi filxhaninë e kafesë i vënë një gjethë manxuranë.

Kafeja, bashkë me shijen e veçantë si kafe-guri, mban erën e manxuranës. Një kafe e paparë. E paparë ndofta në rruzullin tokësor. Këtë lloj kafeje nuk mund ta pish as në Romë, as në Nju Jork dhe as në Brazil, atdheun e kafesë.

Madje, vazhdon shkrimtari, do të shtoja se edhe qytete te tjera kanë ndonjë lule të veçantë adhurimi. P.sh.Shkodra është njohur për karafilat, që i këndon:

Karafila të bukura ka Shkodra…
Nuk ka të tillë në dynja. Aman-aman.

Ose jane të njohura trëndafilat e Përmetit, nga të cilat gratë duar-arta të këtij qyteti bëjnë gliko me shije dehëse.

Aq sqimtare janë nikoqiret gjirokastrite për pastërtinë sa edhe manxuranën e kanë poetizuar:

Nusja që fshinë odanë,
Me një degë manxuranë…

Dhe tani pyetja tonë: Kush e ka quajtur Gjirokastrën “ qytet i manxuranës” ?!

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com