Faktet Interesante që na Zbulojnë Gërmimet Arkeologjike në Kështjellën e Gjirokastrës!

Gërmimet e para sistematike në Kështjellën e Gjirokastrës, 500 m e gjatë dhe 75 m e gjerë, filluan në vitin 1983 me karakter sondazhi, të cilat vazhduan edhe gjatë vitit 1984.

Duke ndarë dhe klasifikuar materialin arkeologjik të mbledhur në gërmime, në bazë të tipologjisë gjetjet më të hershme të qeramikës i përkasin periudhës së hekurit dhe përfaqësohen nga disa fragmente enësh si buzë, parete, vegjë, që u takojnë enëve të thjeshta si kupa, tasa etj.

Janë të gatuara me një brumë të përzier me kokrriza të trasha rëre; ngjyra është okër dhe pjekja e mirë, punimi pa vark.

Nga brumi e forma ato u ngjajnë enëve të epokës së hekurit të gjetura edhe në qytezën ilire të Gajtanit, në vendbanimin prehistorik të Trenit (Korce), në vendbanimin paraqytetar të Belshit (Elbasan) etj.

Qeramika, përbëhet nga fragmente enësh të përdorimit të përditshëm si skifosa, filxhana e pjata të punuara prej brumit të pastër që shkrifërohet lehtë, ngjyrë okër.

Përveç këtyre u gjetën edhe buzë pitosi, disa fragmente tjegullash. Të gjitha këto enë nga materiali i ndërtimit, tipologjikisht, i takojnë periudhës qytetare ilire (shek. IV-I p.e.sonë).

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com