Balta ka Hyrë në Apartamentete - Pamjet Tragjike në Gjirokastër!

Në Gjirokastër, rrëshqitja masive e një shpati ka përparuar edhe më tej gjatë natës dhe në mëngjes vërshimi i baltës shkon deri në katin e katërt të një pallati 8-katësh në lagjen “Kodra e Shtufit”.

Banorët flasin për dëme të mëdha materiale, ndërsa nuk kanë siguri as për jetën!

“Ku i çon mushka këta të mëdhenjtë. Vetëm blejnë vota. Kemi njerëz të sëmurë brenda”, thotë një banore.

Megjithatë, pas sugjerimeve të ekspertëve të mbërritura nga Shërbimi Gjeologjik Kombëtar, rreziku më i lartë lidhet me stabilitetin e tri vilave që ndodhen në themelin e rrëshqitjes. Bashkia konfirmoi se do të marrë masa pas vlerësimit final të ekspertëve.

Ndërkaq, dy familje në lagjen Cfakë në qytet kanë filluar të evakuohen sot, pas thellimit të rrëshqitjes në themelet e banesave të tyre.

Në të gjithë qytetin, Shtabi i Emergjencave ka kërkuar të mbahen në mbikqyrje 7 pika me rrezik të lartë shembjeje, ndërsa pritet ngritja e një komisioni të gjerë për të vlerësuar situatën dhe masat.

Reshjet, thonë specialistët, mund të aktivizojnë rrëshqitje për shkak të mungesës së mbrojtjes me mure dhe betoni për disa vepra të ndërtuara gjatë 3 dekadave të fundit në Gjirokastër./TopChannel

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com