Sheshi “Lëmi i Zekate”! Nga vend ku shkoqej gruri e celfisej misri dhe shesh ku luanin fëmijët u ndërtua…

Lagjja Varosh në Gjirokastër ka patur disa sheshe, vende pushimi për të rriturit po vecanërisht për fëmijët.

 

Aty ku sot është ndërtesa e RTV-Gjirokastra dikur ishte shesh dhe quhej “Lëmi i Zekate”.

 

Përpara se të kthehej ne shesh për lojrat e fëmijëve dhe pushimin e të rriturvë të shtëpive rrotull tij, ishte lëmë ku grumbullohej gruri i korrur dhe shkoqej kokërr, ashtu kuintalët me misër që celfiseshin e futeshin në thasë, të cveshur dhe kokërr.

 

Më të vjetrit kujtojnë punët që bëheshin aty dhe ndryshimet që pësoi sheshi pas vitit 1945 kur pronareve te ligjshem iu sekuestruan pronat. Kjo histori ndodhi edhe me “Lëmin e Zekate” që ndërroi destinacion dhe pamje.

 

Ndërmarrja e shërbimeve komunale me drejtor Kristaq Çabeli, sistemoi mjedisin, e ktheu ne shesh për lojra, edhe me drita anëve si dhe stola pushimi për vajzat, gratë dhe të moshuarit e shtëpive rrotull.

 

Kështu u krijuan kushte për argëtim dhe pushim, vend që mbulohej nga zërat e fëmijëve me shume, ndersa te rriturit e frekuentonin ne pranvere dhe ne mbremjet e nxehta te verës.

 

 

Në këtë shesh fëmijët e familjeve Bedjavai, Konomi, Zere, Njocko, Shorri, Dudi, Skufi, Çabeli, Tharapi, Balloma, Kola, Gushi, Kavo, Zhulati, Ksera, pallateve të Sallakut dhe shtëpisë së madhe Çuçani, Rafti etj. luanin gati çdo pasdite, po me shumë të shtunave e të dielave, aty “hanin këpucët” me futboll e lojra të tjera, zenot, pëzet, saiset, meset etj.

 

Kështu “Lëmi i Zekate” mbeti deri në vitin 1970 shesh i preferuar dhe i dashur ku fëmijët u rritën bashkë me të dhe shumë prej tyre sot janë intelektuale, personalitete në fusha të ndryshme në mjekësi, inxhinieri mekanike, ekonomi, arsim e kulturë.

 

Kjo është me pak fjalë historia e sheshit “Lëmi i Zekate” që dhe të tjera në qytet kanë mbetur vetëm në kujtime. Aty është sot ndertesa e RTV Gjirokastra që u përurua në tetor te vitit 1973 ne ditet e FFKombetar.

 

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com