Rrëfimi Prekës i Anilës për Nënën e saj Adriana Qoftea, Spikeren e Parë të Radio-Gjirokastrës!

Adriana Qoftea eshte nje nga intelektualet e para të qytetit te Gjirokastrës që per nje kohe punoi edhe spikere ne Radio Gjirokastra.

Ajo kujtohet si nje nga vajzat me te bukura te Gjirokastrës pas viteve `60 pjesëmarrëse ne veprimtaritë kulturore e artistike te atyre viteve. Si spikere ajo vleresohej dhe dallohej per zërin e saj radiofonik në përcjelljen e lajmeve te dites dhe emisionet e ndryshme.

Në qytetin e lindjes, ne Gjirokastër, vazhdoi shkollen 7 vjecare ne ate “29 Nentori” (sot Çajupi) me rezultate shume te mira dhe me pas perseri e tillë u vleresua edhe në shkollën e mesme pedagogjike “Pandeli Sotiri” me mësues kujdestar shkrimtarin Bardhyl Xhama.

Ju njohim tani me rrefimin realist dhe emocionues te vajzës Anila Rezhda (Qoftea) për Nënën e saj Adriana Qoftea, intelektualen gjirokastrite.

Kush do hasi emrin e Saj në këtë shkrim nga fëmijëria do dojë të bëjë pyetjen klasike si shkoi jeta e Saj?

Nuk kam përgjigje pasi nuk fjeta dot në ëndrrat e saj! Dhe ju them sinqerisht se do doja që Ajo të kish realizuar çdo ëndërr rinore dhe femërore pasi Ajo meritonte qiell me yje! U martua me babain tim të nderuar mbiemrin e të cilit mbaj.

Ishte zyrtar i lartë në Ministrinë e Industrisë së Rëndë dhe Minierave. Jetoi në Tiranë. Punonte ku ju më lart përmenda.

Lindi dy fëmijë me babain tim. Ishte nga nuset më të bukura të fisit tim Korçar. Nga më nikoqiret shtëpiake me mani pastërtinë, gatimin, rregullin. Kjo ishte pamja e martesës së Saj dhe e vetmja linjë jete që Ajo ndoqi derisa mbylli sytë ëngjëllorë.

Nuk i ra KURRË askujt në qafë.
Nuk kërkoi KURRË asgjë nga jeta.

Nuk shau dhe emëroi të keq askënd. Nuk lejonte të shahej dhe paragjykohej askush nën çatinë tonë. Ndante çdo të ardhur dhe bereqet shtëpie me kë t’i trokiste në derë. Ishte e njohur si depo e Vilës 210 te Rruga e “Durrësit” në Tiranë ku jetoi, pasi në çdo orë Ajo huazonte pa kthim komshinjtë e mij të nderuar, familje shumë në zë si Violeta Papuli po Gjirokastrite, apo Qilimi nga Përmeti, Angjeli, Nathanaili. Bujaria e Saj do e shoqëronte si karakteristikë deri në ditën e fundit të jetës. Fiset kanë dhe sherre mes tyre po Adriana e bukur ju shmangej dhe ikte pa kthim. Shpirti i donte dhe i kërkonte paqe sikur dikur diku!!! të ish lodhur padrejtësisht shumë nga gjyqet njerëzore!

 

Meditimi im si vajzë për Të…

Nuk ja njoha aromën e trupit si nënë se nuk më lanë të më jepte gji. I nxirrte gjak dhe jo qumësht! E rënë nën peshë, nënë Gjylfidani, do më merrte në një udhëtim të pafund drejt Gjirokastrës, do thërriste doktor Kalivopullin të më vizitonte dhe do jepte shpirtin që unë të rroja. Ndaj them, nuk e njoha aromën e Saj!

Fatet e fëmijëve përcaktohen nga të rriturit pa dëshirën e tyre. E shikoja me kërshëri dhe zili se ishte shumë e bukur dhe doja t’i njgjaja. Them zili sepse kurrë nuk më thoshin sa e bukur Anila por kopja e Adrianës, sytë, fytyra ovale, e qeshura si xixëllim Dielli në ujë… Kishte një sharm melankolik, fliste pak dhe heshtja ishte “shoqja” e Saj e ngushtë.

Me mua ishte shumë e rreptë deri në keqardhje. Kërkonte që vetëm të mësoja, lexoja, të dija perfekt punët e shtëpisë. Nuk e gënjeje dot kurrë, të kuptonte me sy mbyllur. I thoshje po lexoj dhe të kërkonte përmbajtjen e faqeve që kishe lexuar! Kontrollonte mendimin dhe ëndrrën time! Doja t’i shpëtoja por ishte e pamundur. Doja shumë të më përkëdhelte si Nëna, të ishte e marrë pas meje si nëna por Ajo ishte e distancuar dhe e heshtur. Sa herë e korrigjonin në lidhje me mua Ajo shprehej:

“Dua ta mësoj të përballojë atë të jashtmen që e pret. Është e frikshme dhe e dhimbshme për një femër”.

Dua të dijë gjithçka dhe t’i punojnë duart. Nuk e dua skllaven e askujt, ka shpirt të lirë, fantazi dhe shumë ëndrra. Nuk do ndryshoj kurrë me Anilën, kot më korrigjoni…”. Dhe ashtu mbeti mes nesh. Ritmi i punës, i shkollave, i saktësisë në orare, i korrektesës në ambjente publike. Si Nënë më injektoi taktin dhe respektin, edukatën dhe arsimimin.

Dialogu jonë i Fundit…

Tiranë, spital, vetëm 38 kg, e tretur nga kanceri, mosha ngjitur me numrin 6-të.

Erdha me vrapin e rrotave nga Greqia ku jetoj dhe u tmerrova nga transformimi. Të bashkë sëmurat e dhomës më folën për një shpirt njeriu që dergjej afër tyre, për Adrianën time. E shikoja dhe më shikonte në sy. Rrallë guxoja ta shikoja në sy. I kishte të bukur dhe sikur i xixëllonin si blerim i harrur Pranvere! E lashë të më fliste.

Unë çfarë të thosha? “Iket” kaq shpejt nga jeta pa pare fëmijët të lumtur dhe të sistemuar? Më kërkoi t’i qëroja një mollë dhe filloi të qajë: “Nuk të lashë kurrë të lirë si vajzat e tjera. Të ndalova, të preva dëshira normale por që të nxjerrin në rrugët e vuajtjes. Shiko ku je sot? Emigrante e diplomuar në dy universitete. E mban mënd si e fillove dhe a e kuptove pse rezistova? Si kujdestare shtëpiake që shkëlqeje pasqyrat dhe rrisje mrekullisht bebin e tyre. Sepse ta kisha mësuar artin e shtëpisë. Edukata dhe përmbajtja që të imponova bëri që të huajt të të veçojnë dhe të nisin Letër-Falënderimi në Ministri aty ku punonte babai jot.

E kupton sa më ke lumturuar dhe sa kontribut kam te suksesi jot zëmër? Ndaj më FAL dhe vazhdo fix kështu. Kujdesu për vëllain dhe përcilli mallin që tani që po mbyll sytë nuk e kam pranë atë Bir të shtrenjtë. Më thuaj tani, ku është Ai që dashurove marrëzisht? E kisha kapur veçmasi dhe i kisha thënë të mos të të afrohej. Më duket se ju ndava? Dua të të shikoj të lumtur. Merre në telefon. Përse të flas në Fundin tim për Fillimin tënd?…” Humbi ndjenjat dhe ajo bisedë u pre hermetikisht në mes!

Më ra nga dora thika, molla, loti, Asaj i ranë qerpikët, ranë Retë dhe qanin që Ajo kërkonte aq këmbë ngulazi Një ekzistencë që unë nuk e dija se ku jetonte dhe cila ishte!!!! E si mund ta dija kur bota varros të vërteta të mëdhaja?!

Adriana fitoi shumë dashuri dhe respekt nga jeta dhe ndonëse puthjet e Saj për mua ishin aq as dhe filmat e atëhershëm me puthje!

Ajo u desh nga njerëzit si rrallë njerëz. Ajo fitoi nga fëmijët e Saj krenari dhe mburrje për ekzistencën e Saj.
Midis meje, djalit dhe mua si bijë e Saj, qëndron dhe një Shpirt ekzistues i dalë nga shpirti i Saj! Pra tre yje dhe një Nënë!!!

Unë e respektoj tashmë Nënën time në madhështinë e Saj si njeri ndaj me dedikimin tim i aprovoj publikisht Dashurinë e Saj!

Qoftë e bekuar sepse ndriti jetën me frymë të pafajshme, guxoi dhe mbajti malin mbi supe, fali jetë dhe frymë…kaq i bukur “Gabimi” i Saj!

Adriana ime ishte e Falur nga zoti për të qënë mbi `Dhe bukuri, sharm, mençuri dhe shembull jete, femër!

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com