Mbretëresha e Këngës së Muzikës Popullore të Shqipërisë së Mesme Fitnete Rexha në Foto të Pabotuara më Parë

Foto e pabotuar me pare e Kengetares së famshme Fitnete Rexha – Mbretëresha e Këngës së Muzikës Popullore të Shqipërisë së Mesme.

Fitnete Rexha, “Artiste e Merituar”, është një ndër këngëtaret e shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme dhe muzikës popullore qytetare tiranase.

Kjo foto që përcillet për herë të parë për publikun është realizuar nga fotografi veteran, mjeshtri i fotografisë shqiptare Vasil Ristani, ekspozuar në ekspozitën vetjake “Ristani”.

Fotua është e vitit 1973 ku shprehet bukur e plot dritë portreti i këngëtares e veshur me kostum popullor duke interpretuar një këngë popullore qytetare të Tiranës.

Sipas Petrit Ristanit, djalit te Vasil Ristanit, këtë kostum e kanë veshur për të dalë në fotografi vajza dhe nuse të Tiranës që i gëzoheshin faktit që ishte kostumi me te cilen Fitnete Rexha delte ne skenë.

Pak fjalë dhe për aktivitetin artistik të këngëtares Fitnete Rexha në Estradën e Tiranës dhe më pas pranë A.K.V.P-së deri sa doli në pension në vitin 1981.

Në vitin 1957 mori pjesë me grupin e Shqipërisë në Festivalin Botëror të Rinisë në Moskë, e vlerësuar këtu me vendin e tretë në nivel botëror.

Më 1959 në Festivalin e Tretë të Rinisë në Vjenë, në përbërje të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, denjësisht paraqitet edhe në Festivalin e Helsinkit më 1961 si dhe në vende të tjera të Europës. Sukses të madh ka korrur në Kosovë më 1970 dhe ’71 në përbërje të A.SH.K.V.P. Kur këndonte këngë të Isuf Mëzyrit në Kosovë, ato por jo vetëm, priteshin me entuziazëm dhe me lot në sy.

Artdashësit e Tiranës dhe Shqipërisë e kujtojnë për koncertet e shumta dhe këngët e saj të bukura si: “Te selvitë e Namazgjasë”, “Qënke veshur me të bardha”, “Mu aty tek shtatë zymbylat”, “Dy të bukurat në nji derë” Ti moj delja, delja rudë; Pse më rrin kaq vranu; Kënga e unazës; Jallah ç’është kjo jeta; Kënga e Rexhës; Qyqja e beharit; Qan lulja për lulen; Kënga e Mine Pezës; Shoqet e tua moshatare; Mu aty te shtat zymbulat; Ç’na ka naze kjo dashnia; Fryni era u çel taraba; Bukuroshja e lalës; Bubullim ke shkomi i Kavajës; Edhe gurët e sokakut; Fërfëlloi fëllënxa në ujë etj etj.

Në 50 vjet me kënëgn në repertorin e saj ka rreth 200 këngë popullore të Shqipërisë së Mesme.
Jeta dhe veprimtaria e saj si këngëtare është e shkruar dhe në librin e Skënder Farkës “Flet Fitnete Rexha”.

Fitnete Rexha lindi në Tiranë më 3 prill 1933 dhe u nda nga jeta më 14 gusht 2003 në qytetin e Tiranës.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com