Kënga e Çerçemit në Selckë të Gjirokastrës me Gotat e Para të Rakisë, sipas Mikut Koço Mosko që na Shkruan nga Amerika

Një këngë shumë të vjetër, na shkruan nga Amerika miku i faqes tonë Koço Mosko, e kam arritur të kënduar në fshatin tim të lindjes, nga Foto Sotiri, një pinjoll dhe ky nga familja patriote “Sotiri”, që gjithë fshati e thërriste “Basho”. Fshatarëve kur u zije në gojë Bashon e urtë e të mirë, menjëherë u shkonte ndërmend “Kënga e Çerçemit” e cila ishte kënga e tij e preferuar në trapeze dhe ziafete, madje e këndonte dhe mbrëmjeve rreth vatrës së toku me gruan e tij Mica (Eftimi).

Bashua këtë këngë e këndonte bukur, me pasjon, me një melodi të vaçantë, ishte kënga e tij, askush tjetër nuk guxonte ta këndonte në prezencë, sepse e ndjente që do të turpërohej. Kënga niste ngadalë-ngadalë, sikur dilte nga fundi dheut, transformohej në një këngë të rëndë burrash dhe më pas shpërthente në rritëm vallesh lunxhiote.

Kjo këngë këndohej në trapezet e burrave kur ishin pirë gotat e para të rakisë dhe trapezi ishte “nxehur”. Të gjithë mbanin frymën kur këndohej kënga, për melodinë e bukur që kishte. Madje dhe gratë e vajzat nga dhomat e tjera zgjatnin kryet të shikonin e të dëgjonin se kush po e këndonte. Këndohej si një këngë lirike, por origjinën ose fillesën duhet ta ketë nga këngët që quhen “hidh e prit”, këto këngë janë thelbësore në dasmat lunxhiote. Këndohej në ceremonitë e dasmës ose të fejesës, kur krushqit, pala e dhëndrit, kish arritur tek porta e nuses dhe aty kishin dalë për t’i pritur njerëzit e saj. Këngëtari krushk, në vargun e parë të këngës i drejtohet çerçemit, që mendoj se nënkupton të Zotin e shtëpisë:

“O, çerçem, çerçem o, Sulejmane!”.

Ai e krahason çerçemin shekullor rrëzë shtëpisë me minarenë e Xhamisë se famëshme Sulejmane në Stamboll ose, pse jo, duke i bërë karshillëk asaj, për të shprehur një revoltë të ndrydhur psikike. Krijuesi anonim i këtyre vargjeve është ndikuar dukshëm nga ngjarjet e bujëshme të kohës, kur në Turqi lartësohesh e trumbetohej me të madhe fama e Xhamisë Sulejmane, e ndërtuar në vitin 1558 nga arkitetkt Sinani, me urdhër të Sulltan Sulejmanit, duke rikostruktuar Kishën e famëshme të Shën Sofisë, ndërtuar nga Perandori bizantin Justiniani mbi një Tempull të lashtë të Solomonit. Gjat asaj kohe Turqia gjithashtu me ngulm kërkonte të islamizonte shqiptarët, tentativa të tilla ka pasur edhe në fshatin Selckë. Fshatarët e fshatit Selckës në atë periudhë ishin edhe selicjotë edhe stambollinj. Kjo këngë nuk këndohej në fshatrat e tjera dhe mund të mendojmë se është sjellë nga Stambolli, pasi dhe atje fshatarët deri von i bënin dasmat sipas traditave dhe zakoneve të tyre.

Albanologu Johann Georg von Hahn në librin e tij “Studime Shqiptare” f. 42-43 , për lunxhotët shkruan: “ Disa familje në tri fshatra të Lunxhërisë dhe dy fshatra të Rezës janë mjeshtër për ujësjellsat e kanë qenë në Stamboll prej kohësh që nuk mbahen mend, esnafët e tyre për ndërtimin e rrjeteve hidraulike, ndaj gëzojnë privilegje të ndryshme përmes fermanesh perandorake. Lunxheriotët e ushtrojnë zanatin e tyre thuajse pa përjashtim në Stamboll.” dhe vazhdon më poshtë: “…. Epirioti është si rregull njeri mjaft i gjallë dhe i kursyer, ndaj fiton jashtë vendit të tij me lehtësi aq sa të jetojë në njëfarë mirëqenieje. Ndaj dhe në këto fshatra punëtore shikon shumë shtëpi qytetare, ndërsa banorët mbajnë rroba fabrike ngjyra-ngjyra. Tregtarët e këtyre krahinave kanë bërë ndërkohë pasuri të madhe”.

Nga fëmijëria mbaja mend dy-tre fjalë, falenderoj ata që më ndihmuan për ta risjellë sa më origjinale. Për këtë më ka ndihmuar i ndjeri Prof. dr. Thoma Dhima, i cili e këndonte bukur dhe vet këtë këngë dhe u kujdes që të mos ndryshonte asnjë fjalë. Nuk mund ta përcaktosh se sa e vjetër është kjo këngë. Kënga përbëhet nga katër strofa, kemi sjellë këtu dy strofat e para:

O çerçem, çerçem O, Sulejmane!
Foli moj nëne, vashësë sate,
Thuaj moj nëne, të na bëj kafe,
Kafe me sheqer.

Foli vetë mor djalë
ta bën me një fjalë,
Thuaj vet’ mor bir
ta bën më të mirë.

Në vazhdimin e kësaj kënge thuhet:

“O, çerçem, çerçem, fjalët si mel-hem”.

Këngëtari krushk, me sa kuptohet, mbasi ka mare mesazhin nga pala e nuses vazhdon të replikojë duke shpalosur kulturën dhe civilizimin lunxhot, po me këngë duke thënë se fjalët qe u thanë janë si “mel-hem”, ilaç i rrallë për shërrimin e plagëve të rënda, plagëve të beqarisë.

Një varjant të përafërt të kësaj kënge e kemi gjetur tek libri “Këngë Lunxhote” të autorëve K. Dedi, M. Koçi (Argjiro, 2006), ku në një shënim sqaron se kënga është qëmtuar nga Doc. Irakli Leka në fshatin Selckë në vitin 1950, i cili e këndonte edhe vetë këtë këngë.

Përgatiti: Koço Mosko

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com