“Kafe Gjirokastra” në Tiranë - Pse e Mori këtë Emër Bordura dhe Sheshi përballë me Bashkinë e Kryeqytetit dhe Autori mbeti Anonim?!

Kjo është një histori e largët në kohë, dhe 70 vjeçare, e paharruar edhe sot kur flitet se bordurat përballë me Bashkinë e Kryeqytetit do ngrihen si kane qenë dikur kur vendi mbante emrin “Kafe Gjirokastra”.

 

Po si e kush e pagezoi këtë vend me këtë emër?

 

 

Per ata qe nuk e dinë si histori kujtojmë se “Kafe Gjirokastra”, ndryshe nga çdo “kafene” në kryeqytet, mbulonte një sipërfaqe goxha te madhe; ajo ishte pa stola, pa karrige e tavolina, pa banak e pa personel shërbimi, aty s`pihej as kafe e as ujë, behej vetëm muhabet e sehir pa lekë…

 

Preferohej nga burra e gra, nga rinia më pak, që pushonin dhe ndiqnin xhirron e famshme tradicionale në Bulevardin e Madh, varavingo, ik e eja.

 

 

Me ndërrimin e sistemeve, xhirrua tradicionale në bulevard vazhdoi dhe per pak kohë, po pastaj, me shtimin e makinave, u hoq dorë. Ndërkohë edhe sheshi “Skënderbej” ndërroi disa herë pamje; sheshi dhe bordurat u prishën. Me to bashke u duk se mori fund dhe “Kafe Gjirokastra” si vend pushimi, po mbeti në kujtime, me disa variante për emrin dhe pagëzuesin e saj.

 

Variantet, nga gojët e liga, lëvizën, nga koha ne kohë, ngarkuar me thashetheme dhe humor te “hidhur”.

 

Flitet, një dashakeqës i gjirokastritëve, që ende nuk dihet në ishte banorë i Tiranës, e quajti atë “Kafe Gjirokastra” se dëgjoi dy gjirokastritë që lanë takim tek “Skënderbeu” sikundër shpreheshin dhe të tjerë.

 

Kaq duhej dhe fjalët e këtij dashakeqësi të merrnin dhenë që shprehja “Takohemi tek kafe Gjirokastra” të kthehej në folklor, vetëm këngë që s`u ngritën po gojët e liga vazhduan, e megjithatë, e sigurtë është se vendi i bordurave nën hijen e kalit të Skënderbeut dhe sheshi para tyre, nuk është quajtur nga gjirokastritët se, siç njihen e vlerësohen, janë aq te zgjuar sa te mos ia futin vetes.

 

 

E thonë të gjithë: Ata dhe shakane e përdorin me masë, me karar.

“Gjella me kripë dhe kripa me karrar”, -thuhet.

 

Ne thelb ne kete pike që analizojme ka nje vullnet te keq, një inat të pafshehur për t’i goditur gjirokastritët, per t’i stigmatizuar me epitete që ç’është e vërteta i kanë të gjithë, fjala vjen si kursimtarë…

 

 

Ka ndodhur kjo se ne shqiptarët e kemi në gjak vullnetin dhe dëshirën për të ngacmuar, per ta vendosur veten, si individë, si fshat, si krahinë apo dhe qytet, mbi të tjerët, kush të mburret, të duket e të krenohet më shumë dhe në kurriz të tjetrit, në rastin në fjalë në kurriz të gjirokastritëve.

Veç një gjë: Gjirokastritët dinë të rrojnë mirë jo vetëm nga pragu e brenda, por dhe në shoqëri, bujar e mikëpritës janë, mikun e presin me ç’të kenë, nuk janë të shtrënguar dhe e djegin kur duhet, kur e do puna e kur duan të nderojnë e të nderohen ne sy te mikut apo te shoqerisë, po pa e tepëruar.

 

 

Ja kështu është kjo histori, e shoqëruar dhe me variante që dhe mund të flasim më pas, po tani “Kafe Gjirokastra” kujohet gjithnjë e më rallë. As thuhet takohemi tek “Kafe Gjirokastra”, ka mbetur më shumë “Takohemi tek Skënderbeu”.

 

“Kafe Gjirokastra” ekziston në më pak mendje, si çdo shprehje folklorike e trashëguar, e mendësisë popullore.

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com