"Frigoriferi i vezëve" i Niko Lulës në Bashte të Teqesë që kishte lidhje me "vrima" të nëndheshme!

Kur gjirokastriti Davo Berberi doli në pension, i pari në magazinën e konsumit në Pazar, mbeti Niko Lula…

Për ata që nuk e kanë njohur, në vitet `55 ishte tenor i lagjes Pazar i Vjetër, pjesëmarrës në grupet artistike të kohës dhe futbollist, lojë që e donte per qejf por dhe për “bukë e gjellë”, se ashtu ishte koha.

Nga vitet 70 e lart, kur prodhimi i vezëve ra dhe filluan racionet kaq e aq për çdo familje, lindi nevoja per t’i ruajtur me shumicë, për një kohë më të gjatë, si për festat.

Më përpara në Gjirokastër kishte një apo dy dhoma frigoriferike dhe për frigoriferë shtëpie nuk bëhej fjalë.

Prodhimet e para që erdhën nga viti 1970 jepeshin vetëm me autorizim. Thonë se Gaqe Bashari, me studime në BS kishte sjellë që andej një frigoriferë sa një kuti kartoni, sa ato që amballaxhohen vezët sot.

Në këtë situatë Niko Lula vrau mendjen dhe doli në ndërmarrje me një propozim konkret që gjeti mbështetje edhe në komitet.

Për ruajtjen e vezëve të freskëta, Frigoriferi që mori në dorezim, ishte disa metra i gjate dhe lartesi mbi 2 metra; pa paisje, as per ftohje, as per ngrohje, pa motor, pa energji, punonte si në “kohë lufte”, në kushte të ambientit.

Vezët, e vendosura aty, në rafte druri, radhë radhë, mijëra kokrra, mbaheshin ne ftohje, në temperaturë që as matej dhe as ulej, por konstante, veçanërisht në kohën e verës.

Në publik, të dhëna për këtë frigorifer nuk u hodhën. Dhe në dinte, Nikua nuk fliste, se kishte porosi: “Frigoriferi” që administronte, kishte lidhje me “vrima” te nëndheshme dhe, mbi të gjitha, sekreti qëndronte tek ndryshimi i destinacionit, perdorimi i tij në paqe, kur ishte për “kohë lufte”.

“Bë punën dhe kaq!” ishte porosia. “Asnjë fjale ne Pazar!”.

Megjithatë emri i Niko Lulës për frigoriferin dhe trajtimin e vezëve në kushte ambienti, kapërceu Bashtenë e Teqesë dhe Qafën e Pazarit. Nga të gjithë u fol mirë, vetëm gazetat nuk thanë asnjë fjalë, për faktin se kishte ndryshim destinacioni, kthimi objektit per kohe lufte në frigorifer.

Gjirokastritët e vjetër, të sotmit, që i dinë të gjitha vrimat, nën e mbi kalldrëm të pazarit, kur kalojnë nga frigoriferi–tunel në hyrje te Bashtese se Teqesë, tani pa funksionin e parë, edhe thonë:

“Ja mo dhe frigoriferi i Niko Lulës!”.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com