Dikur Kafe Bar Verore "Parajsa", Ja si ka shkruar Prof. Arben Puto për “Bostanin”, fermën e Xhemali Shtinos!

Familja e Xhemali Shtinos ka qënë nga më të pasurat në Gjirokastër. Ajo kishte dhe nje perimore, nga me te mirat ne jug, me emer te kujtuar edhe sot, poshtë rrugës nacionale, buze lumit Drino që furnizonte tregun e qytetit nga viti 1926-1946.

Kjo ferme me konvejerin e gjelber, në Gjirokastër e më gjerë përfaqësonte një ekonomi bujqësore dhe blegtorale mjaft të zhvilluar se mbillej dhe grurë e misër, kishte një serë për zarzavate dhe ujitja kryhej me sistem te rregullt. Ajo në cdo stine mbulohej nga larmia e perimeve, pemeve frutore, fiq e kumbulla, pjeshke e ftonje, shege e rrush disa lloje, të gjitha produkte natyrale.

“Vemi nga Xhemaliu”, thoshnin gjirokastritët e cdo moshe, se aty mund të blenin zarzavate e fruta, por dhe pushonin në mjediset rreth ndërtesës dykatëshe, rrethuar nga kurora e pemeve dhe luleve te cdo stine, pagezuar me emrin Kafe Bar Verore “Parajsa”.

Aty deri ne fund te Luftes së Dytë Botërore shërbehej me kafe, pije e meze. Frekuentohej edhe nga vajza, mësuese e veçanërisht nga studentet e Liceut që preferonin pije freskuese aranxhata, dhe fruta, prodhime te ditës.

Ja si ka shkruar Prof. Arben Puto për fermen e Xhemali Shtinos:

“Ato vite, 1931-1935, nëna, Aneja, herë pas here na çonte tek i ati, Xhemaliu, në “bostan”. Bostani i “babazotit” ndodhej në të dalë të qytetit, poshtë në anë të rrugës që conte në Sarandë. Të mbjellat dhe pemët vaditeshin me një sistem ujitjeje, me ujin e një pusi që nxirrej me kova të cilat tërhiqeshin nga një kalë.

Prodhimet shkonin jo vetëm në qytet, por edhe më larg. Kishte mulli, kishte dhe një punishte lëkurësh. Babazoti rrinte vetëm në kullë, prej nga mbikqyrte punët në ‘bostan’. Ne nuk e shikonim as për drekë as për darkë. Vinte na përkëdhelte, na zinte për faqesh dhe thoshte ‘pupulake, pupulake’.

Shkurt Xhemali Shtinua ishte një ndër pasanikët e Gjirokastrës”.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com