"AMERIKANËT" E QYTETIT TË GJIROKASTRËS

Të mbetur nga lufta dhe të ardhur në vitet e para të pas-çlirimit të vendit, disa burra të vjetër në qytet kishin një emër të përbashkët: Amerikan.

“Ja Amerikani”, “Erdhi Amerikani”, “Do takoj pak Amerikanin”, thuhej për ta në rrugë, në Turizëm, tek Klubi i Gjuetarëve apo në rosticeri Kurveleshi ku hanin pace koke ose këmbe.

Si të gjithë edhe ata bënin jetë të thjeshtë. Ata dhe mirë nuk e pritën emërtimin amerikan, nxitonin në çdo rast të tregonin origjinën dhe me plot gojë që jemi gjirokastrit, dropullit, lebër apo lunxhot. Ata dalloheshin nga burrat e vendit nga veshja, pamja dhe ecja. Dinin dhe një gjuhë më shumë, anglishten që flisnin me njëri tjetrin se me botën.

Në zakone e tabiate kishin ngjashmeri me shumicën e popullsisë po do thënë: në veshje, në të folur e në të sjellur ishin të huaj. Kjo fjalë e përveçme zihej në gojë dhe me një çikë druajtje dhe pasiguri. Nuk ishte e pranuar nga të gjithë. Disa dhe nuk e zinin në gojë se u dukej që i bënin nder kontinentit të largët, Amerikës, që në kuptim politik ishte superfuqi dhe xhandar ndërkombëtar dhe vendin tonë e kishte “halë në sy”.

Kjo kategori ishte dhe pak e tërhequr nga jeta e shoqërisë po disa dhe punonin si Emro Harxhi në librari, Polo Xhori mësues i muzikës, ndonjë tjetër sportelist në hotel etj. Për një gjë binin në sy: Në ato vite rrallë herë i shikoje bashkë, në grup. Rrinin veç e në shoqëri të ngushtë me kureshtarë që donin të dinin për Amerikën. Nuk bënin një grup kompakt tek klubi Gjuetarëve apo tek Cile Muka, ku mlidheshin intelektualë të qytetit dhe autoritete të pushtetit lokal, shoferë të Tiranës, shkrimtarë, policë e oficerë të lartë, shumica të fortë në raki.

Më i pranuar në shoqërinë e qytetit ishte njëri që nuk e di pse jetonte në azile. Atë e gjeje gati çdo ditë në sallën e kafes në Turizëm, jo i veçuar, në shoqëri kureshtarësh. Tip i këndshëm dhe miqësor me të gjithë. Fjalë pa prishur. Figurë bënte dhe Polo Xhori, mjeshtër në violinë që kishte ardhur pas 55 së bashku me Pilo Lelin, dhe ai nga krahina e Rrëzës.

Haki Femera ishte nga amerikanët e mbetur nga Lufta. Ai rallë herë mund të pinte një kafe në Turizëm, vente tek Klubi i Cile Mukës ku më shumë se rakia dhe qoftet e famshme e lidhte miqësia e vjetër me të, miqësi e pandarë nga kohë e mbretërisë e në vazhdim.

Për Qemalin, burrin e motrës së xha Hakiut, kur shkoi në Amerikë, Cile Muka ishte bërë garant tek fajdexhinjtë e pazarit. Kjo ishte një pikë e rëndësishme që i mbante lidhur, bashkë, i ulte në muhabet e tavolinë, edhe për gotë, me kujtime për kohën në Amerikë, ku Cilja kishte shkuar më parë, kish bërë prokopi e kish investuar në tregti e gastronomi, me emër Ai dhe djali, Jorgua, qoftexhinjë të famshëm. Të dy edhe pse të mësuar në ekonomi e tregti të lirë, në socializëm gjetën fuqi për t`u përshtatur dhe mbijetuar. Ishin të kujdesshëm dhe të mbrojtur për të shkuarën se, për të qënë në rregull në sy të botës thoshnin “Në Amerikë nuk bëmë prokopi”.

Koha ku i zuri era i mësoi të mendonin dhe të flisnin ndryshe, të përshtateshin. E dinin: Jetonin në një kohë dhe shoqëri tjetër dhe të frikshme, larg filozofisë dhe praktikës që njihnin e kishin jetuar, se këtu e pësoje dhe për një fjalë-kundër, se ajo peshohej me forcën e ligjit e të ndëshkimit, e paguaje si frëngu pulën dhe më keq, dhe me burg. Shoqëria ku kishin jetuar me vite, me pluralizëm në mendime dhe me pronë private të shenjtë ishte e kundërt me këtë tjetrën, mono, teke, e të gjithëve po e askujt.

Në Hajsomer, aty poshtë cerdhes së Manalatit, vend i preferuar dhe i pëlqyer, disa nga burrat e viteve 50-70 vrisnin kohën me histori, ngjarje dhe personazhe, tema të largëta të ditës me pak politikë e më shumë sport. Hajsomeri, veçanërisht në muajt e pranverës dhe verës së nxehtë, me hije e pemë që nuk mungojnë dhe sot, dikur ishte vend takimi e kuvendi për burrat e lagjes, të “ndarë” në dy kampe, “Kampi i Amerikës” dhe “Kampi i Luftës”. Nuk dihet dhe sot kush i ndau dhe cili kamp ishte më i fortë, kush tregonte dhembët dhe kush grushtet, po një fakt qëndron. Ata s`kishin ç`të ndanin me njëri tjetrin veç kohën që vrisnin me muhabete koti dhe me ‘luftë’ për llokumen në lojën me domino ose me letra duke ngritur apo ulur zërin pa llogaritur hilet me sy e shenja të tjera.

Në Hajsomer ata “trajtonin” edhe tema të politikës dhe në këtë pikë të dy kampet kishin rënë me kohë në konsensus, t`i diskutonin heshturazi, nën zë, ndërsa debatet për sportin nuk kishin asnjë lloj konsensusi dhe rregulli, përkundrazi. Ata që i ndiqnin dhe dëgjonin uronin që zërat të mos arrinin deri në dhomat e gjumit paçka se dëgjoheshin në gjysmën e lagjes dhe në rrugën e nënkalasë, poshtë ‘7 penxhereve’ kërcënuese të mureve të kështjellës. Kampi Amerikës përfaqësohej nga tre mërgimtarë. I pari i tyre për nga mosha dhe vitet në Amerikë ishte xha Hakiu, nga viti 1914, me vajtje ardhje po me “mbetje” në Manalat nga viti 1939 e në vazhdim.

Histori të ngjashme me të kishin dhe dy mërgimtarët e tjerë, Vesel Bashimi dhe ai me banim në kontinentin e madh e të largët në Nju Xhers të Amerikës dhe i treti, në Argjentinë. Xha Hakiu si përfaqësues i parë i kampit amerikan, ishte dhe më i kompletuar dhe i ngarkuar me jetën perëndimore. Nuk kishte bërë pak vite në Amerikë. I heshtur aty ku duhej, në detyrë apo në jetë kolektive, tregonte me një ndjenjë gëzimi dhe hareje të pa fshehur. Kështu dhe në lagje. Ai nuk i njihte dallimet klasore, nuk i anashkalonte takimet me filanët me “biografi jo të “mirë”, me cen, nuk harronte t`i përshëndeste dhe të thoshte: “Filani është njeri i mirë, po politika të ngatërron!”.

I rritur në një lagje me të gjithë bashkë, po që lufta disa dhe i kish ndarë, përplasur me njëri tjetrin, nuk qe trazuar dhe më pas me të gjithë mbante marrëdhënie paqësore, dhe me ata që pa dashje në luftë ishin deklaruar me Ballin. Thuhet dhe sot në lagje:Të rrije me të dhe për pak kohë, edhe dy fjalë të shkëmbeje, kishe ndjesinë se bëje një hap drejt asaj jete për të cilën ai fliste dhe kish jetuar, dhe për aq sa thoshte, pavarësisht fshehjes së realitetit, prekur dhe jetuar, se s`ishte budalla të fliste si Zequa në majë të thanës, kur njerëzit ishin vesh ngritur dhe jo të pa ndjeshëm ndaj frymës dhe erës proletare që frynte në qytet e që nëse do ishe i pavëmendshëm dhe i pa mbrojtur të merrte përpara.

Kampi i Luftës perfaqësohej nga ish-partizanë që mbanin kartën e veteranit të luftës e ndonjë akoma me dokumenta e rekomandime në duar për ta fituar. Këta përbënin një shumicë të zjarrtë veçanërisht për kujtimin dhe diskutimin e luftrave dhe betejave të zhvilluara por jo dhe me mburrje mbasi nuk është se kishin kontribute në drejtim të cetave dhe brigadave, ishin thjesht pjesëmarrës në luftë kundër pushtuesve të huaj dhe ballistëve të vendit. Kur ndonjë nga këta, anëtarë të kampit të luftës e tepëronte, tregonte të fortin dhe mburrej, të tjerët i shkelnin syrin njëri tjetrit, kuptoheshin në heshtje e pa u kujdesur që t`i tregonin vendin, të fliste pa mburrëla. Megjithatë dhe në këtë mënyrë kuptoheshin e sikur thoshnin: “Fol, fol pa u morëm vesh!”.

Pala e parë mbahej me kujtimet e mërgimit. Këto ç`është e verteta ngjallnin interes jo vetëm për burrat e palës së luftës por dhe për të rinjtë dhe fëmijët që u qëndronin rrotull, vesh ngritur për të dëgjuar se ç`bëhej në “botën tjetër”, km të pasosura të asaj bote të largët që me gjuhën e mendjes publikisht “tokë e bekuar”ndërsa për palën e dytë “ botë e egër kapitaliste” term i marrë nga gazetat dhe fjalimet e udhëheqësve të lartë të kohës.
Pala e dytë, e luftës karakterizohej nga mburrje, nga lëvdata me bazë ngjarje të luftës, për djem heronj e trima, që i kishin vënë gjoksin armikut, kishin luftuar dhe tani ishin zotër, fitimtarë. Po sidoqoftë midis dy kampeve nuk kishte humbës, tregoheshin të matur e të qetë, miqësor dhe të mirëkuptuar si në çdo fushë edhe në politikë pavarësisht bindjeve e besimeve edhe këto “herë” të shprehura po më saktë të pashprehura sikundër ndryshuan krejt mendje në mos kështu u duk kur nisi lufta kundër fesë dhe ata u “bashkuan” me vijën dhe opinionin e shumicës. Të dy kampet duheshin, haheshin dhe pajtoheshin.

Në Hajsomer, ballë për ballë, matnin forcat në lojën me domino e letra. Në seanca pushimi, për të marrë veten e për të mbledhur pikët, diskutonin për sportin që ishte në radhë të parë të bisedave dhe diçka për politikën e dyta nga radha, ndërsa ekonomia në radhë të tretë. Për të parën jo të gjithë ishin kompetent e diskutonin në përgjithësi, ç`dëgjonin nga të tjerët, se u vinte dhe rëndë të zbrisnin në bashte të Teqesë apo në Fushën e Vjetër të Sportit për të parë dhe një ndeshje të vetme. Kur gjëndeshin në Hajsomer, të parin që ngjitej në rrugë e pyesnin për rezultatin e më pak për zhvillimin e lojës, kush luante më mirë e kush më dobët, nëse kish pritur ndonjë top të fortë Isuf Lulua apo ishte ndëruar në pjesën e dytë. “Hë mo, si doli ndeshja? Kush e hëngri?!” pyesin të parin që kalonte nën rrugë. Përgjigja herë vinte pozitive, herë negative që do të thoshte “fituam” ose “humbëm”. Me barazim të dy kampet ndaheshin në qetësi e paqe po kur ekipi humbte atëherë dhe debatet ndizeshin dhe flitej si përherë me zë të fortë. Kur ai poshtë rrugës thoshte “Na e futën!”, të gjithë në një gojë thoshnin “E hanë bukën kot!’. Pas kësaj letrat apo dominot harroheshin dhe lufta ndizej, debate e mendime për rezultatin, sharrje e ofendime për trajnerin, “shkarkonin” energjitë me diskutime si gjithmonë të përgjithshme. Po asnjë nuk thoshte e ka fajin Subiu, kryetari. Për Zijanë, kryetar qyteti, njeriun e tyre edhe thoshnin “ Edhe ai një fjalë nuk thotë!”’, ndërsa kur erdhi nga Tirana Tahiri, vëllai i tij, ca kohë në bordin drejtues të futbollit, shpresonin se ekipi do të ecte, flisnin me fjalë të buta “Ja se tani do rregullohemi!”.

Po kjo puna e sportit nuk u ngjallte dhe shumë interes, shpreheshin se nuk futnin gjë në xhep, se nuk u jepte bukë, dhe kur mësonin që skuadra e zemrës kishte humbur, gjirokastriçe e kishin ngrënë, lëshonin bateritë. ”E hanë bukën kot. Kot që i mbajmë, japim e heqim nga vetja dhe s`përfitojmë gjë. Edhe 10 lekoshen nuk e meritojnë! Një gol nuk bëjnë dot!” Në këtë pikë të dy kampet bëheshin dakort. Për vitet që tregojmë futbolli mbahej me ndihma në ushqime nga shteti po dhe me xhepin e banorëve. Gjithashtu në vitet 55-70 fillimisht me veprimtari të zbehta, po më pas disa sporte si volejboll-basketboll për vajzat dhe djemtë u gjalleruan. Ashtu dhe këndi sportiv në bashte të Teqesë. Do thënë se Gjirokastra mirëpriti në ato vite pjesëmarrjen e disa vajzave nga lagjja Partizani që përfaqësonin qytetin edhe jashte rrethit në Tiranë e gjetkë. Kur hapej muhabeti, jo pa mburrje xha Hakiu vlerësonte pjesëmarrjen e mbesave që kishin dhënë shembull të parë në këto sporte duke permendur Vezvi Lulon, Hëna Harxhin, motrat Afërdita dhe Arta Lulo, dakortësuar me pjesëmarrjen në sportet që kishin zgjedhur. Për këtë dhe mburrej. Shprehej krenar për inkurajimin.

Ja kështu sporti për ta ishte temë për të kaluarën dhe nuk e kishin për gjë të ziheshin e të pajtoheshin, aty për aty, të përplaseshin pa arsye, pa argumenta. Po kjo përplasje, ballafaqim,mesa duket u jepte kënaqësi dhe i lehtësonte nga barra e rëndë kur pika e diskutimit kalonte tek politika, edhe me rrezik për kohën. Ndodhte kjo edhe pse nuk e shikonin faqen e katërt po si lëvizte e dridhej politika i merrnin vesh. Duhet thënë se xha Hakiu ishte me vesh ngritur të dëgjonte një gjë që t`i pëlqente, se çdo gjë i dukej bardhë e zi. Kështu dhe në politikë, ato e ato, lajme që nisnin nga faqja e parë e Zërit me lajme zyrtare dhe disa bujqësi, blegtori dhe ekonomi, me tituj që duket sikur ngjallnin optimizëm e mobilizim po që ai i përcillte ftohtë, me indiferencë, si fjalë pa bukë, pa bereqet. Debatet bëheshin dhe të nxehta. Jo se ziheshin po kështu dukeshin si të ishin në garë kush t`i imponohej tjetrit. Sedërlinj dhe ambiciozë për ç`kishin punuar e përfaqësonin,ato u bënë të shpeshta e të nxehta midis dy periudhave historike që kaloi vendi. Prishja me sovjetikët dhe bashkimi me kinezët. Duke i shkuar mosha, xha Hakiu nuk kish më ‘frikën e parë” edhe thoshte ndonjë gjë. Nuk i rrinte goja. “Tani që u pleksëm dhe me të verdhët njëlloj do jemi”. Nuk fliste hapur po ai me këtë shprehje donte të linte një kuptim që me siguri edhe ata e dinin dhe e kuptonin. Se ndonjë dhe thoshte: “E di unë, e di, ku të punon mendja!”.

Optimizmit të palës së luftës i bashkoheshin edhe përfaqësuesit e palës tjetër, amerikane, gjë të cilën ata e shprehnin duke tundur kokën që të ishin brenda po pa i nxjerrë fjalët nga goja. Po dhe atyre u ra hunda kur u mësua dhe u publikua në shtyp me shkronja të mëdha prishja me Bashkimin e madh Sovjetik. “Hë mo, të thaç, s`na rri bitha në një vend!” Këto fjalë u thanë po nuk u tregua asnjëri me gisht se kush e tha, bënë sikur nuk u dëgjuan, sikur folën të gjithë në një kohë e asnjë. Duket se në përmbajtje ishin me rrezik, ndaj dhe nuk u përsëritën më dhe askujt nuk i mbeti “dopio gjashta” në dorë. Loja vazhdoi: “Bjeri në kokë! Dil këtu e dil atje!”. Akoma dhe sot nuk është zënë në gojë autori. Ato fjalë u mbuluan dhe u ruajtën të fshehta nga të dy palët me frikën se ndodhte gjë e përmbysej bota. Po një dyshim ka mbetur për një nga tre anëtarët e grupit të Amerikës, ndoshta dhe për xha Hakiun që në vitet e pensionit “nuk i rinte më goja “.

Fragment i shkëputur nga libri “Haki Femera kthehet ne shtepi” të autorit Andon Lula.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com