Aljosha - Polici i Njohur i Trafikut në Qafë të Pazarit!

Para viteve 90, për ata që nuk e dinë, për disiplinimin e mjeteve dhe levizjen e udhëtarëve në Qafë të Pazarit u vendos Aljosha, polic i qarkullimit rrugor.

Në atë kohë Pazari ishte shume i populluar, edhe pse lëviznin pak mjete; 5 a 6 të Ntanit, makina e mishit, e perimeve, zisi i komunales, i ateljes, 10 apo 15 gaze e varshava të vjetra dalë boje, 3 taksitë e qytetit si dhe vetura të pakta që vinin nga Tirana dhe rrethet.

Arot me baltë të ekonomive bujqësore si dhe mjetet e “dukura”, edhe me perde, të Komitetit Ekzekutiv, më e mira, makina e Kryetarit si dhe Pezhoja e Galos, e Sekretarit të Parë.

Kështu në Qafë të Pazarit, në një “grusht vend” aq sa është dhe sot, pjesë e dekorit u be dhe polic Aljosha, i qarkullimit rrugor.

Ai nuk qëndronte ne platform druri, si mbahen mend policët e trafikut ne sheshin “Skënderbe” në Tiranë por levizte ne pika te ndryshme, me uniformë të rregullt, xhaketën të mbërthyer dhe në kopsën e kreut, me doreza te bardha në duar dhe “shkopin magjik” drejtonte mjetet të lëviznin në degëzimet e Pazarit.

Do thënë që detyrën e kryente me korrektësi te admirueshme, me plot solemnitet, i vëmendshëm, ne kontroll te cdo situate, ngjallte njekohesisht kureshtje dhe kenaqësi.

E dinte: ishte ne sy te popullit dhe eprorëve.

Sa kalonin këta me mjet, Aljosha merrte drejtqëndrim; i përcillte me vështrim të butë e ledhatues, seriozitet te shtirur prej ushtaraku të stërvitur. Nuk e fshehte seriozitetin dhe kënaqësinë kur e pyesnin:

“Kemi ndonjë të re?”.

“Cdo gjë në rregull, shoku…!”- ishte përgjigja e tij e zakonshme, me krenari të shfaqur.

Më pas këtij shërbimi në Qafë të Pazarit i “doli boja”. Ndoshta sherbeu si provë, si eksperiment, për të treguar se shteti i djeshëm, ishte i fortë dhe aty, në Qafë të Pazarit, ose ndoshta për ta patur këtë shërbim si bota, për t`u thënë turistëve se në Shqipëri, si në çdo sektor, dhe atë të qarkullimit rrugor ka rregulla te forta.

Kështu pas një kohe, në Qafë të pazarit, me transferimin e Aljoshës në pikën e kontrollit tek Ura e Subashit, nuk u vendos më polic trafiku.

Kështu vazhdon edhe sot…

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com