Afërdita Mezini - Edukatorja e Dashur për Fëmijët e Viteve `60 në Gjirokastër

Afërdita Mezini apo Mami Dita sic e njohin fansat tane ne FB, eshte edukatorja dhe nje nga mësueset veterane te qytetit të Gjirokastrës.

Dashuria dhe dobësia e saj janë fëmijët mes të cilëve punoi deri sa doli në pension. Në vite, me ta e shoqërinë e prindërve, ka shfaqur natyrën e saj tepër njerëzore, dijen, urtësinë dhe kulturën gjirokastrite. Mbi këtë bazë, ka ndërtuar marrëdhënie miqësie e shoqërie të thjeshtë e të sinqertë, ruajtur me shumicën e tyre edhe sot.

Edukatore Afërdita, në kafe me shoqet, kohës së shkuar i kthehet edhe duke shfletuar albumin e shkollës, siç e quan ajo, me plot fotografi që, për nostalgji dhe “rizgjim” të kujtesës, disa i hoqi mënjanë për faqen tonë Gjirokastra Online.

Janë foto mes fëmijëve të kopshtit Nr. 2 në Gjirokastër, nga viti 1960, që ajo i ka ruajtur dhe, bashkë me shënimet përkatëse, dëshiron t`i ndajë me vogëlushët e atyre viteve, sot të rritur që edukatore Aferditën e kujtojnë të dashur e të bukur. Ashtu dhe ka mbetur, edhe pse stinët e jetës kanë bërë të vetën, figura e saj ruan një konstante të pandryshueshme që sfidon kohën, në fisnikërinë e mendimeve dhe botën emocionale me vlera të spikatura njerëzore.

Këtë mbresë merr edhe nga fotot që flasin dhe “shkrepëtijnë”, të cilat na ndihmojnë të vështrojmë portretin e saj në një kohë të largët me tiparet, shprehjen e ëmbël të fytyrës dhe buzëqeshjen e pandarë. Siç mund të hamendësojmë, çdo foto e paraqitur, është dhe një subjekt me të fshehta “zbulimi” i të cilave kërkon sigurisht vëmendje por dhe interpretim. Kjo nuk ka qenë e lehtë edhe për edukatore Afërditën. Kanë kaluar shumë e shumë vite, kohë e shkuar por e afërt kur përballesh me veten, si dikur dhe sot.

Ja fotot me shpjegimet e edukatore Afërditës: Fotografia e parë:

Dalë për 1 qershorin, viti 1960.

Në rrjeshtin e parë duke u nisur nga ana që jam unë: Sandri, djali i një mjeku ushtarak, me sa di është mjek në spitalin ushtarak (kjo jo e sigurt), afër tij Donika Njocko, një vajzë me emrin Figali, Vera Kokomani, Klement Çela, Vita (në mos gaboj Zhupa ), dy të tjerët s’më kujtohen. Në rrjeshtin e dytë: E dyta me mbiemrin Suli dhe i ati infermjer (kështu me vjen në mend), e katërta Natasha, më von mami në spital, pas saj Eli Prifti (vajza e Leksos infermiere), e shtata Zana Kokomani, e dhjeta Mira Tabaku. Në rrjeshtin e fundit: i katërti Petrit Zhupa, i gjashti djali i Bule Ficos (nuk me kujtohet mbiemri pas martesës ), i teti Sokol Shupo, afër tij mund të jetë një me mbiemerin Puto që rrinin me shtëpi pothuaj përkarshi kopshtit, i fundit (jo shumë e sigurt) Agron Kosta.

 

Fotografia e dytë: Ka po ata fëmijë. Po indentifikoj prindërit: Ngjitur me mua edukatore Margarita Xharahu (Tole), oficerin s’e mbaj mend, afër tij Rustem Çela, gruaja pas tij s’më kujtohet, afër saj Dallandushe Shupo, Bule Fico, afër saj është mamaja e dy motrave Kokomani (i shoqi Muharrem Kokomani, gjeneral) dhe gruaja pas saj s’më kujtohet, më pas mamaja e fëmijëve Zhupa. Në dy burrat e fundit oficeri s’më kujtohet kurse tjetëri Bejo Zhupa. Në këto dy fotot e tjera: Janë po ata fëmijë dhe plus tyre në rrjeshtin e dytë në mes (me i gjati) është Dhori Bashari.

Tani e keni radhën ju për të kujtuar dhe përcjellë emrat dhe mendimet tuaja për këto sekuenca nga jeta e fëmijërisë që iu ndihmojnë për të vështruar përtej tyre, në brendësi të viteve.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com