Vullkan në Klubin e Gjirokastrës! SportEkspres nuk kursen asgjë ndaj Luftëtarit tashmë të damkosur rëndë!

Pjesëmarrja e parë në Europë duhej të ishte një festë dhe një mundësi për të bërë diçka historike, fundja shorti nuk ishte i tmerrshëm.

Megjithatë, kalaja u shemb që para ndeshjes, me ndryshimet e mëdha në organikë, me trajner të huaj e disa lojtarë të huaj që në fakt nuk kishin asgjë më shumë se ata që e çuan Luftëtarin në Europë.

Pas humbjes 5-0 në vajtje, sot u luajt kthimi, por për fat të keq, u transmetua në televizion.

Një ndeshje e shëmtuar, një aktrim i turpshëm, me Luftëtarin që tashmë do të përjashtohet nga kupat e Europës, por nuk është se e vret mendjen kush, sepse janë eliminuar dhe nuk do të shkojnë më për shumë vite aty, ndoshta kurrë më.

Një skandal i vërtetë, lojtarë që ecnin në fushë, mbrojtje inekzistente, të shihje golat e Ventspils ishte një dramë e vërtetë.

Në tregun e basteve u bë kërdia, shumë kompani e hoqën ndeshjen, shumë të tjera prisnin golat e shumtë dhe estradën, të pafuqishme, edhe pse ulnin ndjeshëm kuotat.

Luftëtari e nisi si favorit, e përfundoi si amator, aq sa në minutën e fundit të ndeshjes Luftëtari kuotohej 19 që shënonte, ndërsa Ventpsils vetëm 1.7 apo 1.8.

Marre nga SportEkspres.com

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com