Ëndrra Europiane e Luftëtarit fare Pranë Realizimit!

Me fitoren e djeshme në Shkodër Luftëtari është fare pranë Europës!

Edhe sezonin e kaluar e meritonte por në fund varej nga rezultatet e të tjerëve. Tashmë do duhet të ruajë avantazhin e të menaxhojë situatën e javëve të mbetura me sa më shumë qetësi duke qënë se i gjithë presioni është mbi të tjerët.

Luftëtari tashmë mban vendin e tretë dhe para së gjithash është një ekip me një ecuri konstante dhe që prodhon futboll në çdo ndeshje, pavarësisht rezultatit. Është një ekip, që në Europë garanton një paraqitje të mirë.

Janë edhe 6 javë dhe Luftëtari ka avantazhin që Partizanin rival e pret në Gjirokastër. Ku i dihet…? Ajo fitore spektakolare e fazës së dytë mund ta frymëzojë për një tjetër triumf. Europa është shumë pranë dhe objektivi minimal është që ekipi gjirokastrit të mos zbresë më poshtë se vendi i katërt.

Vendi i tretë, që e mban aktualisht, e bën më të sigurt Europën, por edhe vendi i katërt do ta mundësonte këtë objektiv, nëse Kupën e Shqipërisë e fiton Skënderbeu. Gjirokastritët do të bëjnë tifo pikërisht për korçarët në ndeshjen e nesërme që ata do të luajnë me Partizanin, që është rivali i Luftëtarit për vendin e 3-të.

Këtë radhë ëndrra e Luftëtarit varet nga këmbët e futbollistëve të tij dhe në Gjirokastër po bëjnë gati fishekzjarret, pasi kanë shumë besim tek ekipi. / Vipsport.al

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com