Çunat pas fitores në Kukës! Lika vë në dyshim Penalltinë e Kukësit, kontrata e Milinkoviç në çengelin e Gjicit!

Luftëtari është rikthyer përsëri në formën e sezonit të kaluar, pas një periudhe në zonën e ftohtë të renditjes. Tashmë ekipi i Likës është rikthyer në nivelin e duhur.

Pas fitores historike ndaj Partizanit, me rezultatin 5-0, vjen momenti për një tjetër fitore të madhe, këtë herë ndaj Kukësit në transfertë me rezultatin 1-2. Në një prononcim për “Supersport”, Hasan Lika është shprehur shumë i lumtur për rezultatet e arritura në javët e fundit.

Lika:

“Luftëtari është duke kaluar një moment të mirë si në lojë dhe rezultat. Ekipi është duke shpërblyer pasi më parë loja e bukur e zhvilluar nuk po pasqyrohej në rezultate.

E rëndësishme është që pas fitores me Partizanin arritëm të fitonim me kampionët e Shqipërisë. Luftëtari arriti të bëj mbylljen e duhur por nuk kemi keqardhje për mbylljen e këtij viti në momentin tonë më të mirë.”

Ai shton se kjo skuadër ka nevojë të forcohet më shumë në organikë. Këtu po flasim për të mirën e skuadrës dhe jo të individëve. Do të dëshiroja të mos na largoheshin lojtarët më të mirë të ekipit por nëse ata do të largohen, atëherë do i urojmë suksese.

Ndërsa për arbitrin ai thotë se tensioni i gjykimit lidhet me ndeshjet e kaluara dhe kjo është e kuptueshme. Por gjithsesi për rastin e penalltisë së Kukësit, krahu i futbollistëve së Luftëtarit ishte natyral dhe kam dyshimet e mia në akordimin e kësaj penalltie”, është shprehur Hasan Lika.

Ndërkohë trajneri i Kukësit, Mlladen Milinkoviç, ka përsëritur se duhet flasë me presidentin Safet Gjici dhe do të mirëpresë vendimin e tij. Ai ka sqaruar po ashtu se kontrata me Kukësin nuk e mbron aspak.


“Nuk e kuptoj dot këtë humbje dhe fusha jonë na është bërë makth, sepse kemi 4 humbje dhe kemi një barazim. Kemi lënë shumë pikë në këtë fushë. Donim ta mbyllim me një fitore këtë vit, por nuk ia arritëm dot qëllimit.

Në radhë të parë, dua të flas me presidentin, pasi ai bën planet e ekipit. Çdo gjë që ai të vendosë, do të jemi dakord. Nuk kemi arritur atje ku duhej të ishim, sipas marrëveshjes që kemi bërë. Nuk jemi në atë nivel.”

Gjirokastra Online përfiton nga rasti për t’i uruar ekipit të zemrës Luftëtarit Urime për Fitoren 🙂

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com