Barazimi 2 me 2 me Partizanin i Vlefshëm për Luftëtarin drejt Europës!

Luftëtari dhe Partizani janë ndeshur në ditën e sotme për javën e 33-të të Superiores, teksa kanë barazuar me rezultatin 2-2, në një takim që ka dhuruar kryevepra në golat e realizuar, ndërhyrje të ashpra dhe shumë kartona të verdhë.

Të dyja ekipet janë duke luftuar për një vend në Europë, prandaj vlera e kësaj sfide kishte rëndësi të dyfishtë.

Skuadra e Dalipit kërkonte hakmarrje për atë humbje 5-0 të pësuar në Gjirokastër gjatë këtij sezoni, por ky takim nuk pritej në një atmosferë pozitive. Bruno Telushi është konfliktuar me trajnerin dhe për këtë takim është lënë jashtë listës. Rikthim i madh për të kuqtë është mbrojtësi Fejzullahu, që vinte pas 8 muajsh pushim. Nga ana tjetër te Luftëtari është rikthyer Abazaj që u la pushim në takimin e fundit.

Pjesa e parë ka përfunduar me rezultatin 0-2 në favor të Partizanit, por ajo që duhet veçuar këtu është kryevepra e realizuar nga ana e Asanit. Mesfushori i të kuqve është futur nga krahu i djathtë në qendër dhe me një goditje nga distanca, ka shtangur portierin e Luftëtarit. Vetëm 4 minuta më vonë ishte Gojkoviç ai që ka shtyrë topin drejt rrjetës, për të shënuar edhe golin e dytë.

Ndërkohë pjesa e dytë ka vazhduar me ritëm, teksa Abazaj i ndihmuar edhe nga devijimi i Belicës, ka shënuar nga një pozicion i pamundur në krahun e djathtë duke e surprizuar Hoxhën. Gjirokastrët e kanë rikthyer baraspeshën pas një aksioni fantastik, me autor të golit Rapon.

Ky barazim vlen më tepër për Luftëtarin, që e mban ende pas vetes Partizanin në “luftën” e Europës./Klaudio Ndreca- vipsport.al/

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com