Akrobati Ekuilibrist Ali Xhixha! Mbi tel në Kalanë e Gjirokastrës therrte një dash! Me biçikletë luante shfaqjen "Romeo e Zhuljeta"

Ali Xhixha është një ndër të parët artistë, themelues i Cirkut të Tiranës që sot mban emrin e tij nga vitit 1976.

Në Gjirokastër, si në çdo qytet të vendit, Ali Xhixha pritej si hero për aventurat mbi tel, lojra që ngjallnin kureshtje e befasi bashkë, gëzim, kënaqësi, çlodhje dhe mirësi.

Shfaqjen e parë në kala Ali Xhixha e dha në vitin 1955 në prani të mijëra banorëve, një pjese nga fshatrat që, sa mësuan për ardhjen e tij ne qytet, udhëtuan edhe me këmbë për të ndjekur “aventurat”, lojrat mahintëse, një realitet tjetër i shfaqur në fije teli të “kapura” midis dy shtyllave.

Në kala, Ali Xhixhën Gjirokastra e ka mirëpritur, duartrokitur dhe pershëndetur, veçanërisht fëmijët, të lumtur të këmbenin dhe një fjalë me të. Numrat e tij ishin të shumta e befasuese. Në lartesi jo me pak se 15 metra ai levizte me nje dru te gjate dhe, veç akrobacive, mbi tel realizonte therrjen e nje dashi, në lartësi 12 metra mbi siperfaqen e tokës.

I mbeshtetur nga grupi prej 5 vetash, në fije teli luante tragjedinë e Shekspirit “Romeon dhe Zhuljetën” si dhe shfaqjen “Ali Xhixha dhe 7 xhuxhat”, pjesë që i linin pa gojë banorët e mbledhur në kala.

Nga “çmenduritë” e artistit akrobat-ekuilibrist kujtohen lojrat në tel i futur në një thes të mbyllur, “shëtitjet” me biçikletë si dhe distanca me këmbë që kaloi mbi tel nga godina e Ministrise së Bujqësisë në atë të Ndertimit.

Lojrat dhe “çmenduritë” e tij ishin me risk, deri në rrezikimin e jetës, por ai me intelektin dhe guximin që e karakterizonte, dilte fitimtar.

Ali Xhixha, ekuilibristi me famë, i la lojrat mbi tel në moshë madhore, kur e mundi vetëm pleqëria. Kujtohet intelektual dhe themelues i Cirkut Shqiptar, dekoruar me titujt “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës” dhe “Mjeshtër i Madh”.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com