Hasudeja e Gjirokastrës - Ja si e Përgatiste atë në Oxhak Plaka e Cfakës Kanxhikate Xhiku?

Me shtëpi të madhe në lagjen Cfakë, e administronte me rregulla dhe nikoqiri. Pastërtia llams e feks, brenda në shkallët, odatë e dhomën e kuzhinës.

 

Po ashtu dhe avllia, me lule në poçe, me çerçeme, pemë e lartë, ngjitur me murin e Sinove dhe të Kukajve, koshtrat poshtë me pemë: fiq, kumbull, hurma, shegë dhe rrush.

 

Pjesë e këtij dekori ishte dhe një kotec për pula e gjela që i ushqente me thërrime e ç’të kishte se nuk donte që pulat t’i lëshonin vezët në koshtrat e botës. Kur i linte në liri, ndonjë nga pulat i hapte telashe, fliste që ta dëgjonin:

 

“Ja ku është atje tek fiku, më pa mua edhe iku!”.

 

Kanxhikate Xhiku ishte e para edhe në gatime, mjeshtre për ëmbëlsirat, bakllavanë me 80 e më shumë petë, të holla sa një kartë cingari. Për ditë të mira, në gëzime, tregojnë se bënte një hasude që shkrinte në gojë, e thërmuar, e ngjashme me kokrra breshëri. Hasudenë e përgatiste në oxhak, me dru zjarri, në këtë mënyrë:

 

 

Në enë me fund të rrumbullakët skuqte niseshte me sheqer e gjalpë bashkë dhe shtonte ujin. Masën e trazonte me lugë druri në temperaturë jo të lartë deri sa uji të pihej dhe për provë, nëse ishte bërë ose donte dhe pak, e shponte me majën e ndezur të një druri.

 

Nëse flaka shuhej hasudeja ishte gati. E shtrinte në tepsi dhe e ndante pjesë pjesë, në formën dhe madhësinë e lugës duke i pudrosur një nga një me sheqer pluhur dhe me pak kanellë.

 

Për 5 veta duheshin:

  • 350 gr.niseshte
  • 300 gr.sheqer
  • 170 gr.gjalpe
  • 170 gr. vaj ulliri
  • si dhe 1 gotë ujë

 

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com