Si festohej Dita e Flamurit në Gjirokastër pas vitit 1912

Dita e Flamurit festohej në rrugë e sheshe. Grupe grupe banorët kalonin në Qafën e Pazarit e 5 degëzimet e saj për në sheshin e Çerçizit ku mbaheshin fjalime, këndohej e hidhej valle deri vonë në mbrëmje.

 

Në shkolla e vende historike pjesëmarrës në luftrat për liri dhe pavarësi, nderonin Ditën e shënuar të Pavarësisë, veprën e Ismail Qemalit, rilindësve dhe luftëtarëve trima. Mësues, nxënës e të rinj nga qyteti shkonin në Mashkullorë, tek hauri, vendi ku Çerçizi me çetën e  tij, më 18 mars 1908 luftoi kundër një batalioni turk. Jehona e kesaj beteje u ndje brenda e jashtë Shqipërisë.

 

Gjatë kësaj dite të shënuar burra të vjetër në moshë, por dhe gra të moshuara, visheshin me kostum kombëtar. Kostum kombëtar vishte dhe Bajo Topulli, për kohën që ishte kryetar Bashkie por dhe më vonë, jo vetëm në Ditën e 28 Nëntorit por dhe në festa të tjera lokale, në përkujtim të ngjarjeve historike.

 

Ceremonitë zyrtare organizoheshin ne Hotel “Royal”( Sopoti ) ku merrnin pjesë luftëtarë të çetave kryengritëse, pjesëtarë dhe të afërm të fiseve dhe  familjeve gjirokastrite me kontribute në luftën për liri dhe pavaresi, autoritete te pushtetit lokal dhe intelektualë, përfaqësues të huaj me rezidence në qytet. Prefekti apo Kryetari i bashkisë mbanin fjalime për rëndësinë e kësaj dite historike dhe rolin e  Ismail Qemalit që ngriti flamurin shqiptar në Vlorë dhe deklaroi pavarësinë e Shqipërisë, kontributin e popullit te Gjirokastrës dhe luftëtarëve të saj në arritjen e kësaj fitoreje madhështore.

 

Ceremonitë vazhdonin me koktej me fruta të stinës, pije, verë e meze. Këtë atmosferë e sjellë edhe një lajm i botuar në shtyllat e gazetës “Demokratia”: “Zonja dhe zoti Zef Kadarja, Prefekt i Gjirokastres, dha një sofrie ku ishin  Konsulli i Greqisë z.Melas dhe zyrtarë të tjerë të huaj. Sofreja  filloi në orën 8.30 dhe vazhdoi gjer në 3 pas mesit të natës, e mbushur me tyrlish gjellë të ftohta  dhe me pije e ëmbëlsira  të ndryshme. Përgjithësisht zonjat dancuan pa rreshtur.”

 

Dita e Flamurit festohej gati në çdo shtëpi, veçanërisht në ato të luftëtarëve dhe mësonjësve patriotë. Atmosferë e vecantë festive krijohej në shtëpinë e vëllezërve Bajo e Çerçiz Topulli ku  për festën uronin edhe perfaqësues nga krahinat. Në shtëpinë e madhe dhe sheshin para saj, ushtonin këngët patriotike si dhe ato që populli këndonte për veprën trimërore të Bajos e Çerçizit në luftën kundër pushtuesve osmanë.

 

Ceremoni te ngjashme vazhdonin dhe në shtëpi të tjera të luftëtarëve te lirisë si në shtëpinë e firmëtarit të dokumentit të Pavarësisë, Elmas Boce, bashkëkohës i Naim dhe Sami Frashërit, pjesëmarrës në organizimin e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Gjirokastër, mbështetës i komitetit “Për lirin’ e Shqipërisë’, organizator i ngritjes se teatrit në qytet etj.

 

 

Në shtëpinë e mësonjesit patriot Iljaz Hoxha, në Odanë e madhe mblidheshin burra të qytetit, edhe fëmijë që ata të edukoheshin me frymë patriotike. Ata, me priftin e qytetit Papa Pano ne krah,  kujtonin Diten e Flamurit dhe figura udhëheqëse të saj, Ismail Qemalin, firmëtarët dhe drejtuesit e çetave kryengritëse, Bajo e Çerçiz Topullin etj.

 

Festa fillonte me qerasje, llokume për fëmijët si dhe kafe e raki për të rriturit. I zoti i shtëpisë, xha Iljazi,  nxirrte nga dollapi flamurin e kuq me shkabë të zezë dhe pasi e ngrinte lart me zë kumbueshëm thoshte « Rroftë Shqipëria e lirë ! ». Odaja ushtonte nga thirrja e përbashkët e burrave të cilës i bashkohej dhe ajo e priftit Papapano « Rroftë Shqipëria e lirë! ». Një nga fëmijët, pasi puthte flamurin, e kalonte atë tek të gjithë burrat që gjithashtu e puthnin dhe e vendosnin në dritare ku valëvitej i lirë. Festa vazhdonte më pas rreth tryezës së shtruar dhe kalonte me plot kujtime për luftëtarët e lirisë.

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com