Pritja që i bënë banorët e Gjirokastrës bandës "Vatra" ardhur që nga Amerika më 1920

Në vitin 1920 banorët e Gjirokastrës u bënë një pritje jashtëzakonisht të ngrohtë vatra-nëve nga Amerika “të vendosur të luftonin, të linin kokën, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë së tyre të dashur”.

Përfaqësues, kishin dalë për t’i pritur te Hani i Subashit ku dhe i përshëndetën për gjestin e tyre atdhetar. Sa arritën në fund të brigjevet të qytetit, edhe pse zuri një shi i madh me breshër, të veshur më së miri, u rrjeshtuan, dhe me bandën “Vatra” përpara, u drejtuan për në qytet dhe hyjtën të gëzuar e krenarë. Ndenjën disa ditë në Gjirokastër e pastaj shkuan në luftën heroike që po zhvillohej në Vlorë për të çliruar këtë qytet kreshnik nga imperialistët italianë. Gjatë ditëve që ndenjtën  në Gjirokastër stanarët e qytetit shtruan për nder të tyre një drekë të pasur në Bregun e Teqesë .

Këtë takim të paharruar, drekën e pasur, brenda në dhomën e Baba Manes; me të ftuar, autoritete ushtarake e civilë, shumë nga parësia e qytetit midis të cilëve edhe i ati, Papapano Gjirokastra, e përshkruan në fletoren e kujtimeve Mësuesi i popullit Thoma Papapano:

“Në njerën, në krye të dhomës së Baba Manes rrinte vetë Baba Mania dhe në kreun tjetër Papapanua. Si pinë e hëngrën, Baba Mania thirri Papapanon të ngrihen e të zënë vallen. U ngritën të dy të parët dhe para se të fillonte vallja, u përqafuan me forcë dhe u puthën fort e fort e të pranishmit, në këmbë të gjithë duke parë atë skenë, të derdhin lot gëzimi. Nisi kënga. Të gjithë në valle. Këndonin e lotët s’u pushonin së derdhuri. E si të mos u derdheshin lot gëzimi! E si të mos mallëngjeheshin ata burra përpara asaj skene? Babai i Teqesë përqafohet, puthet me priftin e të dy në krye të valles! Kushedi sa kohë përpara ishin larguar nga familjet e kishin marrë rrugën e mërgimit, të ksenitisë së shkretë, nga mjerimet e jetës po dhe nga frika, e kujtonin në ato minuta si e kishin lënë Shqipërinë e tyre të dashur, popullin të ndarë në turq e kaurë, armik vëllanë me vëlla. Atë ditë kishin përpara syve të tyrë një gjë të papritur po të ëndëruar Babanë  e Teqesë  të përqafuar më priftin e kishës të puthur si dy vëllëzër të dashur e të përmalluar dhe në valle dorë për dore e të këndojnë këngë revolucionare për bashkim e vëllazërim, për liri të Shqipërisë”.

“Mua, – përfundon Papapano, “s’do të më harrohet kurrë ai takim në dhomën e teqesë së Baba Manes. Ka qënë vërtetë një takim historik që do të mbahet  mënd”, dhe porosit që duhet të kujtohet.

 

 

/Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i çdo materiali ne faqen tone pa marre me pare leje nga ne dhe materialet qe marrin leje duhet te vendosin citimin: GjirokastraOnline.com

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com