Në kujtim dhe nderim të jetës dhe veprës së Lefter Dilos, me rastin e 28 vjetorit të ndarjes nga jeta!

Emri dhe kujtimi i njerëzve të mëdhenj të një kombi janë nderi dhe pasuria e vërtetë e tij. Ky artikull vjen ne kujtim dhe nderim te jetes dhe vepres se Lefter Dilos, me rastin e 28 vjetorit te ndarjes nga jeta.

Lefter Dilo, publicist, historian, studiues e muzeolog i njohur gjirokastrit, ishte një nga miqtë e parë e më të mirë të Thoma Papapanos, veçanërisht pas vitit `44, kohë kur me shumë se sistemi dhe ideologjia sunduese, i bashkonte e kaluara e përbashkët, mendësia, idealizmi, aktiviteti, shkolla dhe fryma perëndimore; gjuhët e huaja, pavarësia që gëzonin më parë edhe pse qyteti në kushte politike, ekonomike e sociale të renduara, me prapambetje e trashëgimi të varfër arsimore dhe kulturore. Kishin kaluar një shoqëri me plot ngjarje, problematika e tensione, deri luftra; revolucionin demokratiko-borgjes të qershorit, kryengritjet antizogiste, mbretërimin e Ahmet Zogut, pastaj pushtimin fashist dhe Luftën Antifashiste Nacional-Çlrimtare për të arritur periudhën e re historike, siç propagandohej, sistemin e ri, socializmin, të cilin e “gjykonin” me veten dhe në dialog me njëri tjetrin e jo me të tretë apo në kolektiv. Që të ishin në rregull, në opinion shfaqeshin me entuziazëm e eufori të matur.

Në moshë që ishte, më i ri, Lefter Dilo, iu përvesh punës me pasion e forca për te ecur me kohen dhe, nga veprimet e para që bëri, filloi të gërmonte në historinë e kaluar dhe atë të ndodhur, në luftën e më pas, në rindërtimin e vendit e në vazhdim. U bë nxitës e organizator për ngritjen e muzeve të reja, me temë pavarësinë, heronjtë e saj, etnografinë, luftën dhe rindërtimin e vendit. Këtyre u shtoi edhe jetën e veprimtarinë e kombëtarëve dhe mikut të tij, Papapanos, rilindësit të fundit, siç shprehej, të cilin e shtroi në punë për të shkruar kujtimet në “katërshoret”, jetën e hershme dhe atë më pas mbuluar me ngjarje të rëndësishme, dëshimtar e pjesëmarrës në to.

Kështu nxiti dhe të tjerë, patriotë e luftëtarë të pavarësisë dhe çlirimit të vendit. Vlerësuar në këtë pikë, ai ka meritë të veçantë se një pjesë e tyre të shkruara sot kanë dalë në dritë por të tjera ende flenë në arkiva, si në atë të rrethit të Gjirokastrës dhe Arkivin e madh shtetëror në Tiranë. Me siguri mbi fletët e tyre do kalojnë duart e historianëve në mos të sotëm ata që do të vijnë dhe do punojnë me dëshirën për të pasuruar historiografinë lokale dhe kombëtare.

Në kohën kur Papapano dhe Lefter Dilo nuk ndaheshin, e pinin kafen bashkë, mbështetës të traditës historike, të periudhës së Rilindjes, Pavarësisë e më vonë, bënin dhe presion të fortë tek autoritetet lokale që ata veç ekonomisë, grurit e misrit, të shikonin me sy të mirë edhe kulturën e arsimin, të kujdeseshin për vlerat që po humbisnin, ringritjen dhe pasurimin e objekteve, mirembajtjen e tyre, kur në plan të parë ishte politika për sigurimin e bukës në vend, mbrojtja, si detyrë mbi detyrat, kursimi i energjisë elektrike etj. Me këmbëngulje ngritën zërin për të gjitha këto, deri në instancat me të larta të Partisë dhe Pushtetit në qendër, për ruajtjen,
ekspozimin dhe ngritjen e muzeve sikundër dhe u ngritën; i Armëve, rilindësave, i Luftës, Obelisku, i ndërtimit, Pazari në kubenë e Qendrën Historike, muze në fshatra, u përgatitën historikët e tyre, të lagjeve, ndërmarrjeve etj. pasuri e madhe lokale e me dritë kombëtare, trashëgimi e pasur historike, arkeologjike, arsimore, kulturore, etnografike, folklorike etj.

Lefter Dilo shkroi libra e monografi, “Gjirokastra nëpër shekuj” është njëra, dorëshkrim, lënda e së cilës studjohet në bibliotekën e Gjirokastrës, ndërsa për Papapanon shkroi artikuj në të cilat e vlerëson personalitet të shquar si në librin “Dritë që çante errësirën”, fragmente të të cilit po citojmë më poshtë me komentet e tij të shkurtëra:

“Në ‘antologjinë’ e vet hartuar prej tij Papapanoja
kishte radhitur poezi të Asdrenit. Nuk mungojnë pjesë si
“Dallëndyshet”, që ai i ka përdorur edhe si diktat në klasë e ku
duket dora e tij që ka korrigjuar disa gabime ortografike.

Krahas lëndëve humanitare, mësuesi mundohet të
japë disa njohuri të vlefshme mbi natyren e vet, që të
luftojë, me anën e tyre mendimet e ndryshkura të shkollës
së vjetër. Nga ana tjetër Papapanoja u bë njëkohësisht një mësues
edhe për mësuesit e rinj të kohës për ngritjen kulturore të tyre.
Këta ai u mundua t`i afrojë, të organizojë biseda shkencore e
historike, të çelë për ta kurse kualifikimi, për t`i përgatitur pak
a shumë që të punojnë drejt e mirë në fushën e arsimit.

Si mësues i një shkolle laike, popullore, kombëtare
Papapanoja ka merita të veçanta. Për nxenësit e tij ai nuk
kurseu asgjë. Ai u përpoq që ata t`i pajiste në njohuritë
rreth gjuhës, gramatikës mesimdhënse. Në përgjithësi, por me sa mundej dhe me problemet
shkencore, historike, shoqërore, duke u dalluar tërë jetën si
një studiues i palodhur, Papapanoja qysh kur ishte nxënës në
Stamboll u ushqye me mendimet perparimtare të patriotëve
tanë, nga të cilët mësoi gjuhën amtare. Rrethi familjar, sidomos
i babait të tij që dallohej në mes të kolonive shqiptare në Sofje,
dhe pastaj në Bukuresht, e bën djaloshin Papapano të ndjekë
rrugën e rilindasve.”

/Pjese e shkeputur nga monografia “Rilindësi gjirokastrit Thoma Papapano (Çuçi)” të autorit Andon Lula.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com