"MATURA `65" E GJIMNAZIT "ASIM ZENELI" E QYTETIT TË GJIROKASTRËS

Më 13 qershor 2015, pas 50 vjetësh, 40 nga maturantët e vitit 1965 u mblodhën për të festuar në gjimnazin e tyre të dashur. Një fotografi që Bajram Devolli “Bamka” kish ruajtur nga dita e ndarjes, u shpërnda, imazh i largët, i paharruar…

 

Të papritura dhe emocione bashkë, mbresa, kujtime, fjalë të pa thëna më parë, fotografi që këmbehen, autografe, buzëqeshje, edhe lotë…


“Të kujtohet?”.
“Po më kujtohet”.

 

Në klasën muze zhvillohet “ora e parë e mësimit”, po pa Basho Thomanë… Profesor Tajari me regjistër përpara, lexon emrat, me radhë, sipas alfabetit. Disa mungojnë e marrin mungesa, ndërsa Kasëm Loloçi, që prehet në paqe, kujtohet dhe nderohet në heshtje…

 

 

Në festë nuk mungojnë Nevrua, mësuesja e gjimnastikës, luftëtare e emancipimit të vajzave gjirokastrite në vitet ’50 e lartë, që doli e para me kilota në garat sportive e pas saj ekipi i vajzave të volejbollit dhe basketbollit, Miniver Zazani, mësuesja e mirë por e “rreptë” e rusishtes, përqafohet me të gjithë, prek muret e shkollës, pllakat e mermerta, të palestrës.

“Hajde të bëjmë një fotyografi”, thotë dhe ngashërehet.

 

Ato kanë dy gëzime në një ditë, do festojnë me ish-maturantët dhe pak orë do çmallen me gjitonet, sa për të rufisur “një kafe guri”, do “flasin” me fotot në shtëpitë e jetës me plot kujtime, për mësues Hasanin që ka lënë pas libra të vlefshme për gjuhën dhe trashëgiminë shpirtërore të qytetit, për mësues Tolon që ashtu si botanikën dhe sportin donte lulet, sorkadhet që me aq dashuri, të patreguar, rriste në kopshtin e shkollës Koto Hoxhi, bashkë me të mirin e të urtin, mjeshtrin e luleve dhe pemëve, Veip Sinon…

 

Sa shumë histori e kujtime!

…Mbi 65 vjeçarë, po asnjeri nuk e tregon moshën…

 

Një pjesë në Kanada e Amerikë, Greqi e Gjermani, qytetarë të botës, larg, të malluar për Gjirokastrën dhe shtëpinë e diturisë, gjimnazin…

 

Ditë e vështirë për ta! Telefonojnë e përloten. Mallëngjehen! Sa mirë, të ishim me ju! Ah…!

 

Thonë dhe me krenari: “Matura `65 ishte e para, më e mira!”.

 

Kanë ardhur në festë:

Disa: Shpëtim Emiri, dhuron librin e dytë, pas atij të parë kushtuar babait të tij Alizot Emirit, librarit të qytetit. E përgëzojnë, provë e vonuar po e suksesshme, vlerësuar dhe nga kritika letrare e sotme, me fjale te mira edhe nga profesoret e letërsisë, Nasho Jorgaqi, Dritero Agolli, Pëllumb Kulla, Agim Shehu.

 

Ksenofon Krisafi, vlerësuar në gjimnaz nxënës i shkëlqyer, dipllomat e historian, profesor i të drejtës ndërkombëtare, mik i mirë i lunxhotëve dhe gjirokastritëve.

 

Vasil Bakuli, Prof. i fizikes, në drekën e shtruar në Virua, i ka gëzuar dhe befasuar të gjithë me këngët lunxhote dhe “rakinë e shtëpisë”.

 

Jorgo Mashua, i shquar në matematikë dhe sot i vlerësuar, Sedat Braja, shoku im i mirë i gazetarisë, Bajram Devolli, Bamka që pas `90 në klubin që hapi poshtë klubit të gjuetarëve nuk e kursente rakinë dhe mezen për miqtë e Qytetit të Jugut, Dritëronë, Moikomin, Pandeli Majkon e të tjerë…

 

Maksi Muçi, me emër si projektues dhe zbatues i veprave të mëdha të dikurshme po dhe pas ’90, Bujar Qirkua gjithashtu, Sotirulla me banim në Greqi gëzimin e festës së maturës e ndan edhe me të afërmit në 18-shtatori, sa ti takojë…

 

Shefki Aliko, duket se s`ka ndryshuar shumë në pamje e natyrë, si e kujtojnë shokët, simpatik e gjithmonë të gëzuar. Sa mori njoftimin për “festën e maturës”, prishi çdo axhendë dhe erdhi nga kontinenti i largët, nga Amerika ku banon prej më shumë se 10 vjetësh.

 

Kështu e meritojnë të shkruanim për të gjithë, emër për emër, për jetën dhe punën që kanë kryer, të gjithë në specialitete e detyra të rëndësishme, po maturantët e vitit 1965 nuk janë qejfmbetës, janë të gjithë të mirë.

 

S’thonë vetëm ata “Matura `65 më e mira!”…

 

 

 

Pjesë e shkëputur nga monografia “Rilindësi gjirokastrit Thoma Papapano (Çuçi) e autorit Andon Lula.

 

 

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com