Gati për të Rënë: "Shtëpia me Urë" e Pano Zotos, dikur Seli e Konsullatës Greke

Shirat me stuhi që ranë, e rënduan edhe më shumë shtëpinë e Pano Zotos në lagjen Pazar i Vjetër.

Dikur, shtëpi më urë që sot nuk ekziston ishte nga shtëpitë më të bukura dhe më të mobiluara në kohën e saj më të mirë, nga vitet 1900 e lartë, por më pas ndryshoi krejtësisht pamje, sikundër sot në dukje të frikshme, çatia gati në të rënë.

Historia e kësaj shtëpie në lagjen më të vjetër të qytetit në Pazar të Vjetër, lidhet me emrin e pronarit të saj, Pano Zoto. Në memorjen qytetare dhe historinë e Gjirokastrës mbahet mend si tregëtar i madh, me shtëpi sa një kala. Ishte përfqaqësues i shoqërisë së lartë, i kushtuar ndaj tregëtisë dhe jo politikës. Tregëtinë e bënte me jashtë, ushqime e manifakturë; dyqane dhe toka, jo vetëm në Gjirokastër por edhe në Sarandë. Flitej se kish pasuri edhe jashtë vendit.

Tregojnë:

“Pano Zotua ishte dhe human. Kujdesej për të moshuarit dhe familjet e varfëra me ushqime e veshje. Në festa e dasma merrte pjesë, po në vakite sa ngushëllonte në shtëpi por nuk merrte pjesë në ceremonitë e varrimit. Nga ky fakt, kur vdiq, pak banorë i shkuan në varrim, bile dyqanxhinjtë, edhe ata me të cilët kishte lidhje tregtare, nuk i mbyllën dyqanet dhe nuk vendosën shirita të zinj në to, siç ishte zakoni.”

Shtëpia e tij me histori të veçantë në arkitekturë jashtë e brenda ka qënë edhe rezidencë e konsullatës greke që qëndroi deri afër çlirimit të vendit.

Për kohën, konsullata ishte një institucion i rëndësishëm për qytetin dhe për lagjen. Gjithmonë në gjallëri, mbasi aty kryenin veprimet zyrtare qytetarët dhe fshatarët e zonës jugore. Në konsullatë punonin 4 nëpunës, konsulli, sekretari i përgjithshëm, furnitori dhe kuzhinieri. Kishte dhe nje mjek që shërbente falas për lagjen.

Shtëpia sot e restauruar pas vitit 1970, është në gjendje të mjeruar, edhe pse objekt monument kulture. Në katin e parë rron vetëm një familje, dhe ajo në vështirësi, me çatinë mbi kokë, e pa kthyer, gati për të rënë.

Update:

Shembet banesa e raportuar dje nga Gjirokastra Online. Familjaret per fat te mire kane shpëtuar. Çfarë mund të thuash në këto momente veçse të ndjesh keqardhje për braktisjen që i është bërë kësaj shtëpie me vlera historike dhe që konsiderohej monument kulture e kategorisë së dytë… 🙁

 

 

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com