Fan Noli në Gjirokastër, pritja që ju bë nga populli dhe intelektualët në vitin 1923

Në 1923 vizitoi Gjirokastrën imzot Fan Noli. Fan Noli foli përpara popullit, i cili e priti me nderime. Pas fjalimit çfaqi dëshirën dhe ardhi, hëngri, piu e fjeti në shtëpinë e Papapanos.

 

Gjirokastritët, më 26 gusht 1923, ardhjen e imzot Fan Noli e pritën me gëzim të madh. Grupi i miqve e admiruesve të Nolit dolën për ta pritur tek Ura e Subashit, t’i uronin mirëseardhjen.

 

Ishte nje dite me shi, me stuhi, megjithatë populli, që kish dalë në sheshin e Çerçizit e priti Nolin me entuziazëm të jashtëzakonshëm, me duartrokitje e brohoritje:

“Rroftë Fan Noli!” “Rroftë Vatra”!

 

 

Nisur nga kushtet e këqija të motit, mitingu u la për ditën e nesërme. Në Bashki, Noli bashkëbisedoi për programin demokratik me autoritetet lokale, intelektualë gjirokastritë dhe përfaqësues të krahinave. Shoqëria Drita, për nder të tij, shtroi një darkë që kaloi në nje atmosferë të ngrohtë, miqësore e letrare. Pjesëmarrës në të ishin intelektualë gjirokastritë “që e nderuan me muzikën e fjalën e bukur shqipe”; gazetari veteran Jorgji Meksi, mësuesi atdhetar Thoma Papapano, publicisti demokrat Veli Hashorva, gazetari Vangjel Koça, i cili mbajti dhe një ligjeratë të mrekullueshme, portretin e Nolit si poet dhe, siç shkruan prof. Nasho Jorgaqi:

“Ndoshta ky ishte portreti i parë që e zbulonte Nolin si të tillë, po të kemi parasysh se gjykimet për poezinë e tij thuajse nuk ekzistonin. Dhe këto gjykime Noli do t’i dëgjonte për herë të parë në Gjirokastër”.

 

Të nesërmen më 27 gusht, sa doli në ballkonin e Bashkisë, Noli u përshëndet nga mijëra banorë të qytetit dhe të ardhur nga mbarë krahina e Labërisë. Të gjithe kishin lënë punën të dëgjonin fjalët e liderit më popullor të kohës, i cili u foli për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetonjëse, si një shans historik që i jepej popullit shqiptar për të zgjidhur fatin e vet me anë të votës.

 

Për ardhjen e Nolit në Gjirokastër, i dyfishtë ka qënë gëzimi i priftit Papapano dhe djalit, Thomait, mbasi mysafiri i çmuar, i shkoi dhe për darkë Papapanos, ngjarje të cilën ai e përshkruan edhe në kujtimet e tij:

“Fushata e lufta e zgjedhjeve kish arritur kulmin  midis dy partive, opingës dhe bejleroarkondëve. Në 1923 vizitoi Gjirokastrën imzot Fan Noli. Fan Noli foli përpara popullit, i cili e priti me nderime. Pas fjalimit çfaqi deshirën dhe ardhi, hëngri, piu e fjeti në shtëpinë e Papapanos”.

 

 

 

 

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com