Eshtrat e Heronjve Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli përcillen nga Shkodra me Përshëndetjet e Pater Anton Arapit dhe Prof. Ernest Koliqit

Ne shtator 1914 Cerciz Topulli ishte ne Itali dhe u hodh nga Italia bashkë me shokë në Shkodër ku aty më 1915 e ekzekutuan bashkë me Mustafa (Muço) Qullin malazestë në fushën e Stojës.

Më 1936 u zbulua vendi ku i kishin varrosur, njerin mbi tjetrin, dhe një komision nga Gjirokastra dhe një nga Leskoviku vanë në Shkodër dhe muarren eshtrat e ketyre dy dëshmorëve të paharruar dhe i sollën të Muços në Leskovik dhe të Çerçizit në Gjirokastër.

Varrimi i eshtrave te Çerçizit u bë me madhështi shumë të madhe.

Në Shkodër populli kishte dalë për të pritur
gjirokastritët, burrat që do të merrnin eshtrat e heronjëve.

Intelektualë shkodranë mbajtën fjalime të ngrohta e plot vlerësime për vepren e dy luftëtarëve të lirisë po që nga gazeta Demokratia, 10 tetor 1936, mësojmë se ne
ceremoni ne emër të popullit shkodran kanë folur edhe Patër Anton Arapi, Prof. Ernest Koliqi, poet e shkrimtar i njohur.

Ja disa fragmente nga fjalimet e tyre, ruajtur dhe arshivuar për vite të tëra po që dritën e dukjes, të dritës,e panë vetëm pas viteve `90.

Patër Anton Arapi:
“Ndaluni! Ku veni burra ?!…
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, ktu në log të kuvendit para se të daheni.

Doni ta leni Shkodrën, të shkoni e të pushoni atje, ku së parit pat t`amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshë, gëzueshëm e ritët shtatin, atje prej kah Shqypnija u qiti dhe u ndriti!

Le të lavdohen, po, për ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët për jetë, por grimë ma pak s`do të gëzohet në ju, Shkodra, vendi ku ju, nuk diqtë, por u lindtë për Atdhe.

Njimend se ato u dhanë tamblin e gjiut e u janë nana të natyrshme, por ju tashma nuk jeni njerz të zakonshëm, nuk jeni cfarëdo shqyptarësh, ju jeni heronj, jeni burrat shqyptarë, e si të tillë u priti e u mbajti, si të tillë, sot me gzim u përcjell Shkodra, lama e nana e heroizmit tuej.

Jo, nuk u lëshon ju Shkodër lokja, ambël pa u puthë në të dyja faqet, thekshëm pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa derdh dy pika lotsh gzimi e pikllimi mbi ështën t`uej.

Ështën të pamort, u falem! Të pavdekshëm, po, pse ndër vendet tueja rueni një visar të çmueshëm, njat ide, e cilla patrandum do të jetë ndër ne der të jetë Shqypnija.
E udha e marë u kjoftë!…”.

Prof. Ernest Koliqi:
“Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli.
Dy emra kumboren si dy tringëllima burije lajmtare, që jehojnë fushave e maleve…

Sepse këta përfaqësojnë andrrën e pavdekshme të nji Shqypnije të lirë, atdhe të drejtë për nji popull të vllaznuem.

E ju, o Hije madhorë të Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit, nisnju kah vendet e jueja tue ngjallun nëpër të gjitha buzët nji kangë shprese. Zgjoni në kalim zemrat e fjetuna; fuqizoni shpirtrat e ligshtuem.

Shka kërkon djalëria prej shqipnis? Drejtësi të plotë shoqnore.

O ti, Çerçiz, o ti Mustafa Qulli, që ma t`kuq e bate flamurin t`onë me gjakun e pastër t`uej, shpallnja djalërise se përparimi ma i drejtë, se drejtësija ma e plotë shoqënore
mund t`arrihen n`emën të Shqipnis…

Këtë besim në flamur t`onë lypin dy hijet e zgjueme te Çerçiz Topullit e të Mustafa Qullit.
Po sot na – para këtyne eshtnave që dridhen e vrumulisin prej atdhe dashunije – sot na besojmë në Shqipni dhe në fatet e saja ma tepër se dje “.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com