Azis Hoxha, Drejtor i Shkollës “Koto Hoxhi” në kujtimet e Djalit, Farmacistit të Njohur Gjirokastrit Përparim Hoxha

Në vitin 1955 babai transferohet në Gjirokastër me detyrën e Drejtorit të shkollës 7-vjeçare “Koto Hoxhi”. Rikthehemi përsëri në qytetin tonë të dashur, në shtëpinë tonë, ku çdo gjë na dukej ndryshe. Fillon përsëri jeta në qytetin e lindjes. Na dukej çdo gjë sikur fillonte nga e para.

Nga shokët e fëmijërisë, ata të kopshtit takoj vetëm kushëririn tim, Agronin, të tjerët ishin larguar nga qyteti. Ndërsa në shkollë, krijova shoqëri të re me shumë shokë të lagjes e me të tjerë, për të cilët ruaj edhe sot respekt e konsideratë, pavarësisht nga profesionet e tyre, madje pimë edhe ndonjë kafe me ta, kur takohemi. Tashmë kam njohje dhe miqësi 50 vjeçare me shumë prej tyre.

Babai më porosiste kurdoherë që të isha shëmbull në mësime dhe disiplinë, që të mos mendonin të tjerët se më bënin përviligje, apo se isha i biri drejtorit. Asnjëherë nuk më pyeste për të marrë ndonjë informacion për punën e mësuesve, apo sjelljen e tyre me nxënësit në klasë ; po kështu edhe për ndonjë sjellje të papëlqyer, të cilën e bënte ndonjë prej shokëve të mi, që shquheshin si çapkënë. Dhe po këta nxënës, të cilët ishin dhe shokët e mi, më pyesnin: « Të tha gjë drejtori, ose të pyeti gjë për mua? » Ai ishte shumë i përpiktë dhe serioz në punë, asqë mund ta mendoje të shkonte ndonjë ditë pa ditar në shkollë. Ajo ishte puna e parë që bënte ai, kur ngrihej nga gjumi pasdite.

Pinte kafen dhe pastaj fillonte ditarin, ku shkruante edhe emrat e nxënësve që do të ngrinte në mësim. Unë, pothuajse, i shikoja, sa herë që më jepej mundësia, shënimet se kush do ngrihej të nesërmen në mësime dhe u thosha shokëve, sidomos nxënësve të dobët. Përgjigjet e mira, të cilat jepnin në mësime këta nxënës e bënë atë që të dyshonte. Kështu ai kuptoj diçka nga ky veprim imi dhe, më pas, emrat e nxënësve që shkruante në ditar filloi të mos i shkruante më në shtëpi, por i plotësonte në shkollë, në drejtori… Me mua asnjëherë nuk e diskutoi këtë problem. Edhe unë e kuptova se nuk kisha vepruar mirë. Ai kishte shumë takt në punën e tij të përditshme, nuk donte të rëndonte. Prandaj edhe shkolla “Koto Hoxhi” ishte bërë shëmbull për përparimin e nxënësve në të gjithë rrethin, dhe kjo i dedikohej punës së tij dhe gjithë stafit pedagogjik.

Një baba shembëllor, i cili reflektonte kudo nivelin, moralin dhe nxiste perspektivën…

Po kështu ndërhynte edhe në familje, për çdo problem, i cili mund të kishte të bënte me ne kur bënim ndonjë prapësi në lagje. Kur mbarova maturën, kushëriri im, Agroni, ishte mësues, në marrëdhënie pune. Kur merrte rrogën ne shkonim së bashku në Kala. Aty ishte një Bar – lulishte verore me një piste vallëzimi, e cila të shtunave dhe të dielave kishte orkestër. Në ato vite, jeta kulturore e artistike kishte marrë një gjallërim të madh, prandaj frekuentohej shumë nga ne të rinjtë. Në një ditë të shtunë unë dhe Agroni vajtëm në këtë lokal, por u kthyem vonë ( rreth orës 9 të darkës). Për ne nuk ishte orë e vonët, por babai më qortoi, në mëngjes. Me të qeshur më tha: “U rrite tani, ke filluar të vish më vonë se babai në shtëpi!.” Të shtunën tjetër, po kjo punë me mua dhe Agronin. Kthehem me vonesë… . Atë darkë më kishte mbyllur portën dhe natyrisht edhe derën. Unë hipa nga muri, pastaj i rashë derës që qe mbyllur. Derën ma hapi ai vetë ( nuk la as nënën dhe as gjyshen). Më vështroi, si me habi, duke më thënë: “Ua, nga hyre ti deri këtu?”

« Nga muri… »- iu përgjigja.
« Po unë pse e kisha mbyllur portën, që të hipësh ti nga muri? »

Unë u skuqa, ula kokën dhe nuk fola fare. U futa brenda dhe më tha: “Herë e fundit besoj, se do jetë kjo për ty, që vjen vonë në shtëpi”. Me këto pak shëmbuj dua të tregoj mënyrën e sjelljes të tij, përdorte taktin, të vriste me pambuk, si i thonë fjalës…

Burimi : Nga Libri “Gjirokastra në epope”.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com