TAKIMI I MATURËS '68 - Më 20 Qershor 2018 në Gjimnazin “Asim Zeneli” mblidhet “Matura `68”!

Viktor Zografi, bashke me Vladimir Hoxhën, Jani Raftin dhe Zeman Temën janë nismetarët e organizimit të takimit të pritshëm “Matura `68” më 20 qershor të këtij viti pas 50 vjetesh në gjimnazin “Asim Zeneli”.

Si të gjithë dhe Viktori e pret me emocione takimin e maturës dhe, bashkë më njoftimin per ish maturantët e klasave ABC dhe D për t`u mbledhur më 20 qershor, ditën e mërkurë, ora 10:00, për Gjirokastra Online përcjell edhe këtë kujtim nga takimi i parë me mësuesin Thoma Papapano:

“Kur mësoi për mbiemrin tim Zografi ai u gëzua shumë dhe u çel në fytyrë. Foli në klasë për Koto Hoxhin dhe për gjyshen time, njohur me të në vitin 1932 ashtu dhe në maj të vitit 1934 ku me nxënës, arsimtarë dhe autoritete të institucioneve vendore në qytet shkuan për të përkujtuar veprën e Koto Hoxhit, rilindasit të shquar.“

“Grua trime, e mençur dhe e pritur, me shtëpi hapur dhe në luftë”, më tha për nënë Zogën.

Pastaj tha përmendësh disa vargje dasme që i kishte dëgjuar shumë vite përpara nga gjyshja ime.

Thoshte vargjet dhe fytyra i ndriste:

Berberi që rrojti mbrëmë
Rruan dhe dhëndër lulen

Berberi që nga Stambolli
E mira këtu e solli.

O berber të keqen- o
Me ngadalë briskun-o
Se pret mustaqen.

Ftojmë dhe ish-maturantët e tjerë “Matura `68” të na dërgojnë foto dhe kujtime për t’i përcjellë në faqen tonë Gjirokastra Online.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com