Sot Urojmë për Ditëlindjen Mësuesen Veterane Vahide Mamani Hila, Mike e Faqes tonë!

Në kujtimet e gjirokastritëve të moshës së tretë Vahide Mamani Hila është vajza e guximshme e viteve `60 që me “shoqe bashke” dha shembullin e parë të pjesëmarrjes në aktivitetet e kohës në sport, kulturë e më pas si mësuese profesioniste që mbeshteti reformat në arsim në Gjirokastër, Durrës, Sarandë, Shkodër e Tiranë.

Ajo lindi më 14 dhjetor 1942 nga prindërit Fejzo dhe Shemshie, familje qytetare patriote që ndihmoi luftën dhe kontriboi në zhvillimin e jetës kulturore, sportive e arsimore të qytetit në një kohë kur Gjirokastra edhe pse me nam të mirë për kulturë e qytetari kishte dhe mentalitete si “nga pragu e brenda”.

Vahideja shkollen fillore e kreu në atë “Drita”, 7-vjeçaren në “Koto Hoxhi” dhe të mesmen në gjimnazin “Asim Zeneli”.

E dalluar në mësime dhe vecanërisht në veprimtaritë shoqërore shoqërinë e gjimnazit e vlerëson të bukur, të sinqertë dhe që ka vazhduar pavarësisht se tani “matura” është shpërndarë, në Tiranë, Amerikë, Greqi etj. dhe disa nuk rrojnë më.

Ajo ruan kujtimet me te mira per mesuesit e shkëlqyer qe ka patur Muharrem Bejlerin, Agim Shehun, Muzafer Asllanin, Tomor Tushen, Vali Rapin (ruse), Luis Çenen, Nasho Kserën, Kosta Gazhonin etj.

Me mbarimin e shkollës Vahideja filloi mësuese në shkollën “Koto Hoxhi” me drejtor Azis Hoxhën që, sipas saj, profesionist dhe njeri i shkëlqyer nga i cili mësoi shumë në profesion dhe që e ndihmoi të jepte mësim në shkollën Ushtrimore “Drita” ku gjeti mësues me përvojë si Pandeli Lulën, Niqi Nakën, Osman Karalliun etj.

Pas martesës, nga viti 1965 profesionin e mësueses e ushtroi në disa qytete te vendit mes vështirësive të transferimeve të shpeshta, me “plaçka në krahë”, nga njeri në tjetrin qytet por duke marrë nga cdo shkollë dashurinë dhe mirënjohjen e fëmijëve, respektin e vlerësimin e kolegëve dhe shoqerisë, vlerësuar në vite edhe me tituj nderi për kontributin e dhënë në edukimin dhe formimin e fëmijëve.

Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë por të bukur në realizimin e detyrës, Vahideja thotë se është ndjerë mirë, e fortë dhe me fat që ka punuar me kolegë profesionistë dhe “Mesuese te Merituara” si Andromaqi Noçka, Hava Shehu, Leonora Pançe, Zhani Pema, me drejtues profesionist si Gëzim Dushe etj.

Mësuese Vahideja, gjyshe e lumtur e dy mbesave të saj të mrekullueshme, Alanës dhe Sarës, që vazhdon të lëxojë libra të zhanreve te ndryshme me të njëjtin pasion si ne fëmijëri e rini, jo vetëm për Ditëlindje por dhe festa të tjera merr shumë e shumë urime.

Atë nuk e harrojnë dhe ish nxënesit e saj sot të rritur të shkollës “Kater Deshmorët” dhe “Kosova” në Tiranë, shkollës së muzikes “Mujo Ulqinaku” në Durrës, qytetit të Sarandës, shkollës “7 Nëntori (sot “Ismail Qemali”) në Shkodër ku dha mësim 14 vjet dhe doli në pension.

Urimi i tyre, i familjes, te afermve e miqve nga Gjirokastra etj. bashkohet edhe me urimin tonë, të miqve të saj të gjirokastraonline.

Gëzuar Ditëlindjen Mësuese Vahide Hila! Edhe 100 vite me Shëndet e të mira!

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com