"Mirëmëngjes nga Albin Kurti" - Fitore Historike e Vetvendosjes në Kosovë! Urime dhe Suksese!

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një postim në Facebook, falenderon qytetarët e Kosovës të cilët ishin të shumtë në këto votime dhe thotë se tani erdhi dita e të punojmë.

Postimi i plotë i kryetarit të Vetvendosjes Albin Kurti:

“Mirëmëngjes të dashur qytetarë,

Prej mbrëmë ka shpresë. Sepse dje pati guxim. Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë.

Të gjithë ju që keni votuar për ndryshimin, e sidomos për VETËVENDOSJE!-n, u jam mirënjohës për vetëdijen e lartë dhe ndërgjegjen e thellë për ta shpëtuar republikën tonë nga zvetënimi i mëtutjeshëm.

Qytetarët folën me votën e tyre. Ata ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. Urtësia e popullit tonë në çastet vendimtare ishte asgjë më pak sesa fantastike.

Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë.

Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua.

Sepse: Erdhi dita!”

Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti është fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të së dielës. Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të 95% të votave të numëruara të rreth 800 mijë votuesve, lëvizja Vetëvendosja, mori rreth 26%. Ajo u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, me 25%. Partia e tretë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21%, ndërsa partia e katërt u rendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj me rreth 12%, që për dy vjet drejtoi qeverinë.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës, të cilët sot votuan për zgjedhjet parlamentare.

Përmes rrjetit social “Twitter”, Kosnett ka thënë se pjesëmarrja e konsiderueshme në zgjedhje tregoi një përkushtimin e madh për të ardhmen e Kosovës.

“Çfarë ditë e shkëlqyeshme–i lumtur kur shikon kaq shumë prej jush duke gjetur kohë për të votuar –kjo dëshmon përkushtimin tuaj të fortë për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Kosnett.

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se vendimi i tij për t’ia kthyer sovranit vendimarrjen duke dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, sot u vërtetua që ishte i drejtë.

Përmes një postimi nëFacebook, Haradinaj ka thënë se gara e drejtë dhe e qetë e ka ngritur Kosovën dhe qytetarët e saj në një standard të ri të pjekurisë politike dhe demokratike, duke shërbyer si model shembull në rajon.

Kosova sot nuk dallon nga vendet me demokraci të avancuar, duke dëshmuar se jemi po aq europian sa secili vend tjetër në Europë, dhe kërkesat tona për integrim dhe respektim të shtetit e sovranitetit tonë, janë të drejta të pamohueshme, ashtu siç është e paprekshme, Kosova e 17 shkurtit.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa 100% e vendosur për produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës, ishin temat që mbizotëruan fushatën parazgjedhore që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, që i parapriu këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Autoritetet ndërkombëtare vazhdimisht kanë bërë thirrje që pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që sfidën e parë do ta ketë rifillimin e bisedimeve me Serbinë, dialog ky që është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar.

Për dialogun me Serbinë ka një angazhim të shtuar amerikan, ku gjatë muajit gusht, sekretari i shtetit Mike Pompeo, emëroi zëvëndësin e tij Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, ndërsa, të enjten e javës që shkoi presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin e SHBA-së në Gjermani Richard Grenell, si të dërguarin e tij special për dialogun Kosovë-Serbi.

Urime Albin Kurtit per fitoren historike! /gjirokastraonline

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com