Gjimnazi "Siri Shapllo" Feston 7 Marsin! Ja Dedikimi me Videomontazh dhe një Ese për këtë ditë të Shënuar...

Gjimnazi “Siri Shapllo” feston 7 Marsin! Ja eseja dhe videomontazhi dedikuar kësaj dite të shënuar…

 

Shkolla ime

Eshtë e vështirë të flasësh për gjërat kur e di se janë vendimtare për jetën tonë…e tillë është shkolla. Më shumë se një ndërtesë, më shumë se një vend ku mësojmë si të jemi gati për të ardhmen, më shumë se një mundësi…është jetë.

 

Po, shkolla është jetë. Pa të nuk do t’ia dinim kuptimin jetës. Jemi pikërisht ne që refuzojmë kategorikisht të shkojmë në shkollë, por jemi ne po ata që mbushim sytë me lot kur largohemi. E pas këtyre mureve, kësaj godine pa jetë, janë gabimet tona, me veset, virtytet, tekat, lajkat, dashuritë, urrejtjet, ndjenjat… e gjithcka tjetër.

 

 

Të mësosh nuk është e lehtë, ama aty ne mësojmë nga gabimet. Mësojmë si të bëhemi njerëz më të mirë me plot kuptimin e fjalës. Eshtë pikërisht vendi ku lindin dashuritë. Në shkollë mësojmë të duam, të urrejmë, të xhelozojmë, të qajmë e të qeshim…Pikërisht aty nis rrugëtimi drejt një të ardhmeje që nuk e dimë sesi do të jetë, por kemi mësuar guximin e hedhjes së hapit të parë.

 

Shkolla është periudha më e bukur e jetës, në të cilën “uni” vepron fuqishëm. Ndonjëherë na duket e bezdisshme kjo rutinë, por thellë brenda vetes na mungon dhe gjithmonë do të na mungojë. Në shkollë ne mësojmë të bëhemi “ne”, mësojmë të respektojmë veten e të tjerët dhe mbi të gjitha mësojmë të jemi vetvetja pa pasur nevojë të dukemi ndryshe. Sepse në shkollë asgje dhe askush nuk është perfekt, as shkolla nuk është perfekte. Kjo paperfektshmëri e bën atë perfekte. E bën atë të paharrueshme e të pakrahasueshme…ëndrrat lindin aty pët të mos u shuar më kurrë.

 

Mësojmë plot gjëra…ndoshta dhe më shumë nga c’do të na nevojiten, ama përsëri shkolla nuk bën dot pa ne e as ne pa të. Nuk është vendimtare vetëm për profesionin tonë të ardhshëm, por dhe për karakterin tonë. Aty tregojmë krenarinë, mendjemadhësinë, lumturinë dhe mërzitjen. E nëse do të doja t’i hyja kësaj bisede më në thellësi, do të shihnim se është shumë herë më shumë. Shkolla është unë! Je ti! Jemi ne! Të gjithë! Me të drejtat e detyrat tona, por kurrsesi pa ne.

 

 

Shkolla është e vetmja gjë e pazëvendësueshme edhe në një botë tjetër, planet tjetër apo univers.

Dhe në fund shkolla nuk do të ishte kurrë shkollë pa ata, mësuesit. Mësuesit që cdo ditë na tregojmë sesi duhet të ecim në rrugën e gjatë e quajtur jetë.

GEZUAR 7 MARSIN!

Ese na Paola Balliu. Video u përgatit nga Sara Babaramo, Astrit Çoka dhe Andrea Petro.

 

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com