Urim për Akademikun e shquar, studiuesin e palodhur në fushën e morfologjisë e gramatikës historike të gjuhës shqipe,Ethem Likajn, në 79-vjetorin e lindjes!

Kryesia e Akademisë së Shkencave uron akademikun, gjuhëtarin e shquar e studiuesin e palodhur në fushën e morfologjisë e gramatikës historike të gjuhës shqipe, akad. Ethem Likajn, në 79-vjetorin e lindjes së tij.
Jetë të gjatë e shëndet, për sa më shumë vepra e studime me vlerë akademiku ynë!
Imazhi mund të përmbajë: 1 person, Zmadho
Ethem LIKAJ (1941–). Gjuhëtar, profesor e akademik që prej vitit 2008.
Lindi në Vlorë, ku kreu dhe gjimnazin. Student në Ish-republikën Demokratike Gjermane (1958–1959). Kreu studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1966).
Filloi punën në katedrën e gjuhës shqipe të UT, ku jep lëndët morfologji dhe gramatikë historike e gjuhës shqipe. Ka qenë zv.rektor (1987–1991) dhe rektor (1991–1992) i UT, dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1999–2002). Shef i Seksionit të historisë së gjuhës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT-së (1992-1999), dekan i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të UT-së (1999-2002), shef i Seksionit të historisë së gjuhës në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të UT-së (2002-2009), kryetari Seksionit të shkencave sociale dhe albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2013-2014).
Fushat kryesore të studimeve të tij janë gramatika historike dhe gramatika e sotme e shqipes. Ka botuar studimet: “Roli i analogjisë në gjuhën shqipe” (1984), “Format analitike në gjuhën shqipe” (1997), “Eptimi emëror indoeuropian” (1999), “Zhvillimi i eptimit në gjuhën shqipe” (2003), “Fleksioni indoeuropian” (2005), “Morfologji e shqipes standarde” (2010), “Morfologji e shqipes standarde”, ribotim i plotësuar dhe i përmirësuar (2013), “Për ecurinë e mjeteve gramatikore të shqipes” (2015).
Ka shkruar një varg artikujsh për këto fusha dhe ka marrë pjesë në hartimin e veprës “Gramatika e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia” (1976, 1995, 2002). Ka mbi 60 kumtesa të mbajtura në kongrese, konferenca dhe simpoziume shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, Mbi 10 referime të mbajtura në universitete të huaja (Vjenë, Bon, Palermo, Salerno); leksione pasuniversitare në UT, në Universitetin e Prishtinës, dhe në Universitetin e Shkupit; mbi 50 artikuj të botuar në revista shkencore të vendit (Studime filologjike, Gjuha jonë, Studia albanica, Studime albanologjike etj.); mbi 10 artikuj në revista të huaja (Zeitschrift fuer Balkanologie, Keltische Studien, Ballkanskoje jazykoznanie).
Është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri” II dhe Urdhrin “Shërbime të shquara”.