Edhe banesa “Reso” në rrezik shembjeje! Banesa historike si Çabej, Topulli, Sako etj janë kthyer në rrënoja!

Banesa 250 vjeçare e familjes Reso në Gjirokastër po shkon drejt degradimit. Sipas banorit të vetëm të objektit që ka shumë trashëgimtarë ritmi i shkatërrimit është shumë i lartë duke vënë në rrezik të gjithë banesën.

Shtëpia e familjes Reso është monument kulture i kategorisë së parë, por deri tani ndërhyrjet restauruese për të kanë qenë minimale. Objekti është duke jetuar probleme të rënda të çatisë që depërton lagështi në të gjithë mjedisin, mungesë stabiliteti të mureve, dëmtime serioze të pikturës së rrallë murale dhe ornamenteve të drurit të punuara 2 shekuj më parë nga drugdhendësit vendas.

Vladimiri thotë se objekti nuk mund të shpëtohet me të ardhurat e familjes së tij pasi restaurimi kërkon një plan të mirfilltë shpëtimi ndërsa kërkon ndihmë të paktën për ndërhyrjen në çatinë e objektit para dimrit. Ai pranon se çështja e komplikuar e pronësisë mbi banesën ka penguar pjesëmarrjen dhe interesin e trashëgimtarëve për të investuar në rijetëzimin e banesës.

Vëtëm gjatë 5 viteve të fundit Gjirokastra ka humbur banesa të rëndësishme historike të kategorisë së parë si Lolomani, pjesë të banesës Kabili, dy banesa historike në Pazarin e Vjetër dhe vitin e kaluar banesën e familjes Sako pranë kompleksit të 7 Krojeve.

Banesa të tilla si Selfatët, Lito, Topulli, Hadëraj, Kunavi, Çene, Çabej, etj të gjitha në këmbë gjatë dekadës së kaluar janë kthyer në rrënoja apo gjysmë-rrënoja.

Specialistët e trashëgimisë pranojnë se zgjidhja e çështjes së pronësisë për shumicën e banesave mund të iniconte parandalimin e rrënimin.

Burimi: Kristina Fidhi, Top Channel

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com