"Penalizime për Ujin" - Ja kur Nis Aksioni për Garantimin e Ujit 24 orë me Kontrollet Derë më Derë për Ndërhyrjet e Paligjshme!

Nga 1 shkurti, Qeveria do të nisë aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm. Inspektorët do zbresin më parë në terren për të kontrolluar derë më derë nëse qytetarët i kanë paguar faturat e prapambetura.

Reforma e ujit një prej prioriteteve të qeverisë do garantojë furnizimin pa ndërprerje dhe do ti japë fund paligjshmërisë. Nga Lezha ku pa nga afër rikonstruksionin e ujësjellësit, kryeministri Rama tha se rëndësi do të ketë faza e dytë, ajo e respektimit të detyrimeve nga qytetarët për atë çka konsumojnë.

“Nëse ky investim është bërë sot, por nuk mbështetet financiarisht, në kuptimin e pasjes së një bilanci të shëndetshëm të përvitshëm, duke paguar të gjithë ata që konsumojnë, atëherë jo vetëm që nuk shkojmë dot më tutje, për ta përfshirë të gjithë hartën e bashkisë së re në furnizimin 24 orë, por përkundrazi do të humbasim hap pas hapi edhe vetë këtë investim kaq të çmuar që është bërë”.

Pas 20 ditësh, grupet e punës do të ndërpresin lidhjet e jashtëligjshme që cenojnë furnizimin me ujë të pijshëm.

Ligji parashikon burg për ata qytetarë, që ndërhyjnë në rrjetin e shpërndarjes së ujit, pasi grupet e kontrollit u kanë ndërprerë lidhjen.